Moti i keq me stuhi dhe reshje shiu ka qenë prezent në vend orët e fundit, duke shkaktuar probleme si përmbytje, rrëshqitje dherash e ndërprerje të energjisë elektrike. Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bën me dije se reshjet pritet të jenë prezente në vend dhe orët në vijim.
Sipas SHMU, ditën e nesërme pritet një përmirësim i lehtë i kushteve atmosferike, megjithatë reshjet parashikohet të jenë prezente.
Parashikimi i motit nga Shërbimi Meteorologjik Ushtarak
Reshjet që kanë përfshirë vendin tonë përgjatë 24-orëshit kanë qenë me intensitet mesatar deri të lartë kryesisht në qarqet Lezhë me 126mm, Tiranë 65mm, Shkodër 60mm, Durrës 54mm, Kukës 53mm, Vlorë 50mm, Elbasan 47mm dhe në qarqet e tjera më pak se 40mm shi.
Reshjet e shiut me intensitet mesatar dhe të lartë do të na shoqërojnë deri në orët e mbrëmjes vonë, më pas gradualisht reshjet do të humbasin intensitet duke marrë karakter lokal.
Për ditën e nesërme pritet një përmirësim i lehtë i kushteve atmosferike por çadrat mos i lini në shtëpi. Vranësirat gjatë pjesës së parë të ditës do të shoqërohen me reshje shiu të herëpashershme me intensitet të ulët. Pas orëve të mesditës kemi ndërprerje të reshjeve dhe më tepër kthjellime në një pjesën më të madhe të territorit.
Temperaturat më vlerat e mëngjesit pritet të arrijnë vlerat nga 9ºC në zonat malore deri në 15ºC në ato të ulta dhe ato bregdetare. Në vlerat e mesditës temperaturat për shkak të orëve me diell pritet të pësojnë një rritje duke arritur nga 18ºC në zonat malore deri në 23ºC në ato të ulta dhe ato bregdetare.