Dosja e famshme e avionit të drogës, të rrëzuar në zonën e Ishmit në Durrës, do të riaktivizohet. Kështu raporton gazetarja Klodiana Lala e News24.
Avioni i pilotuar nga italiani Guido Guidi u rrëzua në vitin 2016, periudhë kur Shqipëria po mbulohej nga kanabisi kudo.
Ky i fundit ishte liruar me garanci pasuror prej 10 mijë eurosh. Lala thotë se Prokuroria shqiptare kishte dërguar letërporosi në Itali lidhur me ngjarjen dhe ka marrë përgjigje nga autoritetet fqinje një muaj e gjysmë më parë.
Sipas gazetares Lala, në dosjen e mbërritur tashmë në drejtësinë shqiptare janë emrat dhe provat, që faktojnë trafikun e drogës. Bëhet fjalë për një grup të strukturuar kriminal, që ka organizuar trafikun e drogës Shqipëri-Itali.
Një pjesë e këtyre personave, emrat e të cilëve janë tashmë në duart e prokurorëve shqiptarë, rezultojnë të jenë nga Fushë Kruja dhe të arrestuar më parë në vendin fqinj për trafik droge.
Nga ana tjetër, pas letërporosisë, prokuroria shqiptare pritet të thërrasë në ditët në vijim edhe italianin Giudo Giudi, për ta marrë në pyetje lidhur me rrëzimin e avionit në Ishëm.