Kreu i shtetit ka bërë një kallëzim penal kundër Ardian Dvoranit për ‘shpërdorim detyre’ dhe ‘përvetësim të titullit apo detyrës shtetërore’. Ndërkohë në dokumentin e dorëzuar në organin e akuzës, Meta akuzon Dvoranin se jo vetëm e ka privatizuar, por edhe se e ka ‘bunkerizuar’ KED-në.
Fillimisht, duke e nisur që nga çështja më e nxehtë, ajo e zgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, në padi thuhet se nuk ka rezultuar që KED të ketë marrë ndonjë vendim në mënyrë kolegjiale për mënyrën dhe kohën se si do dërgoheshin listat pranë Presidencës dhe Kuvendit.
“Ky veprim administrativ është kryer vetëm në mënyrë individuale nga Kryetari i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, i cili sipas nenit 226 pika 2/e, të ligjit nr.115/2016, ka si funksion vetëm të nënshkruajë aktet e verifikimit, vlerësimit dhe të renditjes dhe t’ia përcjellë ato organit të emërtesës,” thuhet në padi.
Aq më tepër që Dvorani i ka dërguar listat e dy vakancave njëkohësisht te presidenti dhe gjashtë ditë më vonë te Kuvendi.
Ky ‘privatizim’ vazhdon edhe kur presidenti pezulloi procesin e përzgjedhjes. KED zhvilloi një mbledhje dhe vetë Dvorani e dërgoi listën për botim në Fletoren Zyrtare. Sipas padisë, ky veprim është në shkelje flagrante të ligjit.
Në padi thuhet se KED ka zhvilluar mbi 30 mbledhje, por me përjashtim të asaj të datës 15 janar 2019, asnjë tjetër nuk rezulton e zbardhur dhe e publikuar në mënyrë transparente.
“Të gjitha këto veprime të kundraligjshme të Kryetarit Ardian Dvorani për më tepër në mënyrë kanë kufizuar mundësinë e Avokatit të Popullit për të bërë detyrën e ngarkuar nga Kushtetuta dhe ligji, cka tregon dhe një herë se çdo veprim i tij ka qenë në funksion të arritjes së qëllimit kriminal”, thuhet në padi.
“Mosdërgimi për konsultim dhe miratim i këtyre akteve tek anëtarët e KED-së dhe tek të gjithë institucionet prezent në cilësinë e të ftuarit në mbledhjet e KED, i procesverbaleve për të gjitha mbledhjet e zhvilluara dhe mos publikimi i përmbledhjes së procesverbaleve provon se këtu kemi të bëjmë me një tjetër fakt penal, që i atribuohet konsumimit të përsëritur të veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, nga shtetasi Ardian Dvorani me detyrë Kryetar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi”.