Një kryetare bashkie në Holandë tha se ka mbetur e shokuar nga përmasat e laboratorit të kokainës, të zbuluar në Sint Willebrord.
Marjolein van der Meer Mohr tha se ka mbetur e habitur nga ajo që ka parë.
Për ironi, laboratori ishte ngritur në një vend ku policia ka gjetur më parë 1400 bimë kanabisi.
Policia nuk jep shumë detaje për hetimet. Ata thonë se nga ky laborator kanë nxjerrë më shumë se 1 mijë litra kimikate.
Gjashtë të arrestuarit mendohet se janë kolumbianë dhe shqiptarë, raporton portali BN DeStem.
Sipas portalit, kolumbianët vijnë për të mbikëqyrur procesin e pastrimit të kokainës dhe për të ndjekur interesat e tyre në trafikun e drogës së shtrenjtë.
Por çfarë është ‘larja’ e kokainës? Droga e njohur nuk vjen në Europë vetëm përmes kontenierëve, por edhe e shpërbërë në lëngje, kimikate apo substanca solide si për shembull rroba. Kjo pengon zbulimin e drogës.
Kokaina më pas rinxirret në Holandë përmes një procesi ku përfshihen sasi të mëdha lëndësh thellësisht të djegshme. Pikërisht aroma e këtyre kimikateve nxiti policinë që të binte në gjurmët e trafikantëve.
Procesi është i rrezikshëm dhe një shkëndijë mund të jetë fatale. Vitin e shkuar, dy teknikë laboratori u vranë nga një shpërthim në një laborator kokaine.