Handke kërcënon me çekan, e quan Millosheviçin mbrojtës të Jugosllavisë

E Enjte, 21 November 2019 08:28

Nobelisti i Letërsisë i vitit 2019 i ka dhënë një intervistë gazetës DIE ZEIT të Hamburgut. Peter Handke flet dhe gazetari ia hap rrugën - pa gati asnjë pyetje kritike. Ka edhe në Gjermani gazetari të keqe. Ose dashakeqëse. Duket e pabesueshme me çfarë verbërie po mbrohet Handke nga kritikët e mëdhenj letrarë të Gjermanisë.

Nga Enver Robelli

Peter Handke, siç dihet, i urren gazetarët. Ai i urren sidomos ata gazetarë që në vitet ’90 kanë raportuar nga Ballkani dhe kanë denoncuar agresorin serb.

 

Për shkak të pozicioneve të tij proserbe (më saktë: për shkak të mbështetjes që ia ka dhënë regjimit të Sllobodan Millosheviqit) Handke është kritikuar ashpër në disa media gjermane, sidomos në «Frankfurter Allgemeine Zeitung». Këtë gazetë të respektuar Handke e ka quajtur «fletushkë serbëngrënëse».

Pasi Komiteti i Nobelit sivjet e nderoi Handken, në botën gjermanishtfolëse sërish shpërtheu debati: në njërën anë gazetarët e politikës që theksojnë se shpërblimi i Handkes është skandaloz, në anën tjetër gazetarët e kulturës, të cilët me çdo mjet dhe me arrogancë e mbrojnë Handken, duke thënë se ai vetëm ka kërkuar dhe pastaj zbuluar të vërtetën e tij, se ai ka hedhur dritë edhe në anën tjetër të istikameve, se vetëm ka dashur të kuptojë se çka mendon pala tjetër.

Pala tjetër është pala serbomadhe, por kështu nuk e quajnë gazetarët e kulturës të gazetave të mëdha gjermane. Duket e pabesueshme me çfarë verbërie po mbrohet Handke nga kritikët e mëdhenj letrarë të Gjermanisë.

Në numrin më të ri të DIE ZEIT, i cili botohet të premten, Peter Handke ka folur me një gazetar. Ka folur me Ulrich Greiner-in, një publicist e kritik letrar prominent gjerman.

Intervista më shumë është një muhabet i Handkes me një pyetjebërës që nuk e fsheh simpatinë e tij për veprën e Handkes; Greiner po ashtu me elegancë neveritëse i shmanget pyetjeve kritike – nga injoranca apo qëllimisht? Kushedi.

Handke thotë se asnjë fjalë që e ka shkruar për Jugosllavinë nuk është e denoncueshme. «Kjo është letërsi». Këtu do të duhej të ndërhynte gazetari dhe ta ballafaqonte Handken me pyetje kritike, me citate dhe me veprime të tij konkrete. Ndërsa gazetari hesht, Handke mund të vazhdojë monologun e tij duke thënë se nga nëna dhe daja (vëllai i së ëmës) është jugosllav. Daja i tij ka studiuar në Maribor. (Korrekte do të ishte që Handke të thotë: jam slloven nga nëna, por ai këtë nuk e thotë, sepse prej se sllovenët ia kthyen shpinën Jugosllavisë për të shpëtuar nga hegjemonia serbe, Handke i mallkon sllovenët).

Handke thotë se nuk ka shkuar në Serbi për shkak të Serbisë, por për shkak të Jugosllavisë. Kështu ai nuk e bën dallimin mes Jugosllavisë dhe Serbisë, përkundrazi «parajsa titoiste», ku Handke ka kaluar edhe ditë të nxehta erotike nëpër ishujt e Adriatikut (më shumë për këtë mund të lexohet në biogranë e tij), për shkrimtarin është e ngjashme me Serbinë e Sllobodan Millosheviqit.

Nga ky këndvështrim edhe Millosheviqi është një Tito i ri që dëshiron të ruajë Jugosllavinë. Kështu kanë menduar majtistë të verbër në vitet 90-të, kështu mendojnë edhe sot, por me përkrahjen e ekstremistëve të djathtë, të cilët diktatorin serb e shohin si vizionar që qysh në vitet ’90 e ka luftuar «ekstremizmin islamik».

Në këtë intervistë Handke e këndon këngën e vjetër, e cila u pëlqen jo pak gjermanëve të botës publicistike dhe politike. «Qysh ka mundur Gjermania ta pranojë Kroacinë, Slloveninë dhe BosnjëHercegovinën kur në atë territor jetonin më shumë se një e treta serbë ortodoksë dhe myslimanë?», pyet Handke.

Kështu ai së pari gënjen për numrin e serbëve (në Slloveni nuk ka pasur serbë, përveç ndonjë argati nga Serbia e Bosnja, në Kroaci rreth 12 për qind e popullsisë kanë qenë serbë), pastaj Handke e mohon ekzistencën e kombit boshnjak, duke i quajtur pjesëtarët e tij – «serbë të islamizuar». Ndërsa Handke i thotë këto marrëzi, gazetari hesht.

Me sa duket disa gazetarëve gjermanë u pëlqen shumë rrëmi se jo Millosheviqi, por Gjermania (Kohli, Genscheri etj.) e kanë shaktërruar Jugosllavinë, sepse e kanë pranuar pavarësinë e Kroacisë dhe Sllovenisë më 1991.

Në të vërtetë vendimi për njohjen e këtyre dy republikave ka qenë i përbashkët i Bashkësisë Europiane, siç quhej atëherë Bashkimi Europian.

Në një gjysmëpyetje kritike, gazetari Greiner thotë se kur i ka rilexuar pikëpamjet e Handkes për Serbinë, ka menduar se ndoshta Handke ka njëfarë faji për polemikën e shkaktuar. Handke: «Nëse e thoni edhe njëherë këtë, shkoj e marrë një çekan! A po luani Tribunal tani?»

Me ton dashamirës Handke qorton kritiken letrare Iris Radisch, e cila ka shkruar se Handke ka pasur simpati për Millosheviqin.

Handke thotë se kurrë nuk ka pasur simpati për Millosheviqin. Por më 2013, kur ishte për vizitë në Beograd, Handke tha: «Kur vdiq Millosheviqi më kaploi një pikëllim i çuditshëm».

Pastaj Handke tha se kishte respekt për Millosheviqin. Në përpjekjen e tij për të atakuar mediat perëndimore, Handke thotë se kur shpërtheu lufta në Jugosllavi një artikull i djalit të Susan Sontag fillonte kështu: «Harry N. u spastrua etnikisht ndërsa po luante letra me shokët».

Kjo hyrje në tekst nuk i pëlqente Handkes, «unë mendova: a nuk ka turp ai për këtë?» Kush është ai? Djali i Susan Sontag quhet David Rie. Por autor i shkrimit me «Harry N.» është William Finnegan. Në të vërtetë në origjinal «Harry N.» është Haris Hurem.

David Rie e pati kritikuar ashpër pametin e Handkes «Drejtësi për Serbinë». Rie është autor i librit tronditës «Slaughterhouse» (Kasaphana). Handke, i cili i akuzon gazetarët për gjuhë articiale, për manipulime e fajësim të njëanshëm të serbëve citon konsekuent gabimisht, ngatërron autorët, manipulon me historinë, e mbron një diktator – dhe gazetari Ulrich Greiner me devotshmëri e mban procesverbalin.

Ka edhe në Gjermani gazetari të keqe. Ose dashakeqëse./DIALOGPLUS

Login to post comments