Ambasada amerikane ka reaguar pas përplasjes për emërimet në Gjykatën Kushtetuese duke bërë edhe një sugjerim. Në reagimin e saj, ambasada thotë se palët nuk mundet që të bëjnë interpretime të kundërta dhe për këtë sipas saj duhet që çështja të dërgohet në Komisionin e Venecias.
“Në mungesë të një institucioni të përshtatshëm ligjor, i cili mund të vendoste mbi intepretimet e kundërta, Shtetet e Bashkuara mbështesin çuarjen e çështjes në Komisionin e Venecias, si një palë e tretë kompetente dhe e paanshme, për opinionin e tij ligjor. Gjithashtu, nxisim palët kundërshtuese që të respektojnë opinionin ligjor të Komisionit të Venecias. Ecja në këtë drejtim do të ishte tërësisht në përputhje me aspiratat europiane të vendit”, shprehet ambasada në komunikatën e saj.
Gjatë ditëve të fundit po ndodh një përplasje e fortë mes Presidencës dhe maxhorancës për emërimet në Gjykatën Kushtetuese, ku të dyja palët akuzojnë njëra-tjetrën për kapje të sistemit.
Më parë, një sugjerim të ngjashëm kishte bërë edhe ambasadori italian në Tiranë, Alberto Cutillo.
Reagimi i plotë
Reforma në drejtësi është një nga prioritetet më të larta të Shteteve të Bashkuara në Shqipëri. Përparimi i vazhdueshëm i reformave është thelbësor për çuarjen përpara të qëllimit tonë të përbashkët të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Tashmë Shqipëria ndodhet në prag të ringritjes së Gjykatës së saj Kushtetuese, një hap madhor në procesin e reformës në drejtësi. Megjithatë ky përparim i nevojshëm ka ngecur për shkak të interpretimeve të ndryshme ligjore të procesit të emërimit, parashikuar nga kushtetuta shqiptare dhe ligjet për zbatimin e reformës në drejtësi.
Institucionet gjyqësore shqiptare, kushtetuta dhe ligjet për zbatimin e reformës në drejtësi, duhet të udhëheqin procesin e zgjidhjes së këtyre intepretimeve të debatuara.
Në mungesë të një institucioni të përshtatshëm ligjor, i cili mund të vendoste mbi intepretimet e kundërta, Shtetet e Bashkuara mbështesin çuarjen e çështjes në Komisionin e Venecias, si një palë e tretë kompetente dhe e paanshme, për opinionin e tij ligjor. Gjithashtu, nxisim palët kundërshtuese që të respektojnë opinionin ligjor të Komisionit të Venecias. Ecja në këtë drejtim do të ishte tërësisht në përputhje me aspiratat europiane të vendit.
Teksa Shqipëria ndërmerr këto reforma thelbësore, Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të qëndrojnë në krah të saj si një vend mik, partner dhe aleat.