Zogu i Tiranës: S’kam shfrytëzuar njeri, gjithçka ndodhte me dëshirë

Hënë, 25 November 2019 10:02

Policia e Tiranës bëri të ditur të dielën se ka arrestuar Hermes Nikajn, i njohur edhe si Zogu i Tiranës. 28-vjeçari akuzohet për shfrytëzim prostitucioni. Ngjarja ka bërë bujë në mediat sociale, për shkak se Zogu i Tiranës kishte bërë edhe karrierë në disa media të ndryshme në vend.

Por vetë Nikaj tha përpara hetuesve se nuk ka shfrytëzuar asnjë njeri.

“Nuk kam ushtruar prostitucion dhe as kam shfrytëzuar njeri për prostitucion. Gjithçka ka ndodhur kundrejt dëshirës, jo kundrejt lekëve. Duke qenë se jam i njohur, kisha më shumë kontakte dhe ua prezantoja mikeshave të mia dhe i ndihmoja të shkonin në hotel,” deklaroi ai në polici.

Nikaj u arrestua bashkë me një 47-vjeçar nga Kurbini në një hotel në autostradën Tiranë-Durrës. Përgjimet e policisë pas një viti hetimi kanë zbuluar rrjetin e prostitucionit.

Nikaj siguronte prostituta për klientë të ndryshëm me një çmim nga 10 mijë deri në 20 mijë lekë për dy orë. Baza e grupit ishte një qendër estetike, e drejtuar nga një 43-vjeçare. Ajo siguronte femrat për klientët.

Vajzat e reja punësoheshin si kursante në qendrën estetike dhe më pas nisnin punë si prostituta. Për disa prej tyre, grupi merrte deri në 700 euro nata. Në gjendje të lirë janë proceduar edhe dy vajza, 20 dhe 32 vjeç.

Po kështu mësohet se në pyetje janë marrë dhe femrat që ishin pjesë e këtij rrjeti të cilat kanë pranuar se shfrytëzoheshin për prostitucion dhe kanë dhënë detaje se si funksiononte skema.

Login to post comments