Analiza e fakteve/ A po “abuzon” Edi Rama me lirinë e medias në situatë emergjence?

Saturday, 30 November 2019 16:00

“Paralajmëroj për herë të fundit portalet e kanalet e informimit se, në kushtet dhe kuadrin ligjor të Gjendjes së Jashtëzakonshme, do jem i detyruar të ndërhyj forcërisht për mbylljen e tyre deri në fund të kësaj faze dramatike, nëse vazhdojnë me lajme të rreme që hapin panik!”, kërcënoi kryeministri Edi Rama një ditë pas tërmetit të tmerrshëm, që mori 50 jetë njerëzish, plagosi qindra të tjerë e dëmtoi me mijëra shtëpi.

Në një situatë shumë të rëndë shoqërore, Rama gjeti kohën që t’i kundërvihet medias, sidomos asaj kritike ndaj keq-menaxhimit të situatës nga qeveria e tij, duke e argumentuar me “gjendjen e jashtëzakonshme”.

Nga e thëna, në të bërë, ai e dha sinjalin e parë. Fillimisht, Policia shoqëroi drejtuesit e portalit “Jeta osh Qejf” dhe, më pas, Autoriteti i Komunikimeve Elektronike e Postare, i drejtuar nga ish-deputeti i Partisë Socialiste, Ilir Zela, vendosi bllokimin e qasjes në internet të këtij portali on-line.

Por, a e kanë këtë të drejtë kryeministri, qeveria, AKEP-i, Policia, e të tjerë struktura ekzekutive, të ndërmarrin këto nisma?

Shpjegimet e mëposhtme, bazuar në Kushtetutë dhe në ligj, dëshmojnë të kundërtën. Qeveria nuk e ka këtë të drejtë dhe përdorimi i termit “gjendje e jashtëzakonshme” duket se ka nuanca abuzivizmi nga kryeministri Edi Rama.

Gjendje e jashtëzakonshme?
Kryeministri Edi Rama, në kërcënimin e tij publik për median, përdori termin “gjendje e jashtëzakonshme”, duke iu referuar vendimit që prek qarqet Durrës, Tiranë e më tej edhe Lezhë. Në fakt, Shqipëria, më saktësisht tre qarqet, nuk janë në “gjendje të jashtëzakonshme”, por në gjendje të “fatkeqësisë natyrore”.

Për shumëkënd, që nuk ka njohuritë e posaçme nga Kushtetuta, dy termat nuk duken se kanë ndonjë ndryshim. Në fakt, ndryshimi mes tyre është i madh, sidomos sa i përket zbatimit në praktikë dhe lirive që kufizohen.

Shqipëria ka shpallur vetëm një herë ligjin “Për gjendjen e jashtëzakonshme”. Ajo daton në 2 Mars 1997, në vijim të shpërthimit të depove të armatimit. Ai ligj, për shkak të situatës, kufizonte një seri të drejtash të njeriut, përfshirë lëvizjen e qytetarëve, median, shprehjen e lirë, etj.

Ndërsa, aktualisht, qeveria e Edi Ramës ka miratuar vendimin Nr.750, datë 27.11.2019, “Për shpalljen e Gjendjes së Fatkeqësisë Natyrore në qarqet Tiranë e Durrës” (më tej edhe në Lezhë).

Ky vendim mbështetet, ndër të tjera, edhe tek neni 170 i Kushtetutës. Në këtë të fundit parashikohen disa raste se kur vendosen masat e jashtëzakonshme. “Masat e jashtëzakonshme mund të vendosen për shkak të gjendjes së luftës, gjendjes së jashtëzakonshme ose gjendjes së fatkeqësisë natyrore dhe zgjatin për aq kohë sa vazhdojnë këto gjendje”.

Secila prej këtyre rasteve kur merren “masat e jashtëzakonshme” ka specifikën e vetë. Ndaj, në të njëjtin nen, Kushtetuta parashikon se: “…shkalla e kufizimit të të drejtave dhe lirive të njeriut gjatë gjithë periudhës së ekzistencës së gjendjeve që kërkojnë marrjen e masave të jashtëzakonshme, përcaktohen me ligj”.

Gjendja e fatkeqësisë natyrore” trajtohet në mënyrë të posaçme në ligjin 45/2019 “Për mbrojtjen civile”. Në këtë ligj, në nenin 49 të tij, ka edhe një parashikim e llojit “hartim”, në të cilin parashikohet se, në rastet e “fatkeqësive natyrore”, mediat “janë të detyruara t’u referohen burimeve zyrtare…duke shmangur transmetimin e informacioneve sensitive, si dhe duke mos krijuar panik te publiku, në asnjë rast”.

Më tej, thuhet se, “Në çdo rast, kur media informon publikun mbi fatkeqësitë dhe kur këto informacione nuk u referohen burimeve zyrtare, ajo duhet të citojë burimin e informacionit”.

Ky ligj, si edhe të tjerët, nuk kanë asnjë parashikim ligjor (dhe me të drejtë), për mbylljen e aksesit on-line të portaleve informative dhe për bllokimin e lirisë së medias. Atëherë, ku bazohet qeveria për bllokimin e portalit “JOQ” sot dhe, me shumë mundësi, edhe të tjerëve nesër?

Abuzim?

Siç u përmend më lart, kufizimi i lirisë së medias mund të jetë pjesë e një ligji të posaçëm për vendosjen e gjendjes së jashtëzakonshme në kushtet e cënimit të rendit publik dhe kur media, me qëllim të caktuar, përhap panik.

Si është rasti konkret i “JOQ”? Shqipëria nuk është në ‘gjendje të jashtëzakonshme”, por në vetëm 3 qarqe janë në gjendjen e “fatkeqësisë natyrore”. Ligji përkatës nuk parashikon kufizime dhe aq më tepër bllokime të medias.

Ligji “Për mbrojtjen civile” kërkon që media, në rastet kur nuk u referohet burimeve zyrtare, të citojë burimin e informacionit të saj. Në rastin “JOQ”, burimi i portalit ishin qytetarët, me emër e mbiemër, të cilët paraqesnin shqetësimet e tyre për gjendjen pas tërmetit.

Por, edhe nëse burimi i informacionit do të ishte “i paidentifikuar”, sërish kjo situatë nuk mund të nxisë bllokimin e një mediaje, në rastin konkret on-line.

Vepër penale?
Përhapja e panikut është vepër e parashikueshme në Kodin Penal. Në nenin 267, ky Kod parashikon se “Përhapja e informatave apo njoftimeve të rreme, me fjalë, me shkrim apo me çdo mënyrë tjetër, me qëllim që të ngjallë një gjendje pasigurie dhe paniku te njerëzit, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet”.

Në gjuhën e juristëve, kryerja e kësaj vepre penale kërkon “qëllimin”, pra që dikush apo një media të ketë qëllim për të përhapur panik me vetëdije dhe për arsye të caktuara.

A kanë pasur ndonjë mekanizëm në dorë oficerët e Policisë Gjyqësore për të matur “përhapjen e panikut” para se të shoqëronin në ambjentet policore drejtuesit e portalit “Jeta osh Qejf”? Edhe më tej- nëse oficerët e Policisë kanë gjetur një mjet për të matur përhapjen e panikut nga publikimet e ‘JOQ”, a kanë identifikuar dashjen apo qëllimin e portalit për të përhapur panik?

Ka shumë pikëpyetje ligjore në veprimet e Policisë e më tej të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike e Postare (AKEP) për veprimet kundër portalin “JOQ”. Këto pikëpyetje duket se marrin një përgjigje përtej asaj që është publikuar në këtë hapësirë informative.

Veprimet e institucioneve shtetërore duket se janë ndërmarrë jo për “përhapje paniku”, por për shkak të vijës editoriale jo-qeveritare të asaj mediaje on-line./ Nga Boldnews

Login to post comments

Lajmet e fundit

Paditet kryebashkiaku i Nju Jorkut/ Hetimi federal dhe dyshimet për financimin e fushatës

Globi

Paditet kryebashkiaku i Nju Jorkut/ Hetimi federal dhe dyshimet për financimin e fushatës

    Kryebashkiaku i Nju Jorkut, Eric Adams është paditur për të paktën një akuzë penale dhe është vënë nën hetim federal. Adams do t'i dorëzohet autoriteteve në fillim të javës së ardhshme...

Kraja: Degradim i shtetit ligjor! Korrupsioni i Ramës dihet nga ndërkombëtarët, por ata shpeshherë e mbyllin një sy

Politikë

Kraja: Degradim i shtetit ligjor! Korrupsioni i Ramës dihet nga ndërkombëtarët, por ata shpeshherë e mbyllin një sy

    I ftuar në edicionin e pasdites në SYRI TV me moderatorin Edvin Parruca për të folur për shpërqëndrimin që po i bën Rama shqiptarëve me 'Shtetin Bektashi', mes skandaleve që...

Xhuljan Guçe: Qytetarët e Korçës nuk pranojnë më premtime “pe leshi”

Politikë

Xhuljan Guçe: Qytetarët e Korçës nuk pranojnë më premtime “pe leshi”

Nga Xhuljan Guçe: Në një deklaratë të fundit, drejtuesi i Partisë Socialiste në Korçë, z. Niko Peleshi, njoftoi se partia e tij synon të sigurojë 6 mandate në këtë qark, duke...