Zyra e OSBE për lirinë e medias reagoi në mbrëmje pas nismat anti-shpifje të qeverisë, duke theksuar se kanë punuar deri vonë në mbrëmje, për të bërë përmirësime me kryeministrin Edi Rama në projektligje.
Në fakt, në mbrëmje një draft i ndryshuar i projektligjit nisi të qarkullonte nëpër redaksi. Drafti është shkruar me shpejtësi sa nuk janë bërë as korrektimet e para.
Nga një lexim i parë, vështirë të kuptosh se a ka ndonjë ndryshim rrënjësor. Por OSBE thotë se ka pasur ndryshime sa u përket kompetencave të AKEP. Ndërkohë nuk thuhet asgjë për kompetencat e AMA-s. Për më tepër, nuk thuhet nëse do mbeten në fuqi gjobat e AMA-s dhe më pas do të shkohet në gjykatë. Një deputet i Ramës thotë se çfarë kuptimi ka të shkosh në gjykatë pasi ka falimentuar. Kurse një avokate e qeverisë tha se edhe kjo punë është si gjobat e makinës.
OSBE thotë se do të vazhdojë punën për zvogëlimin e gjobave dhe do të kujdeset për aktet nënligjore.
“Puna do të vazhdojë për të zvogëluar nivelin e gjobave, dhe për miratimin e një instrumenti nënligjor të ardhshëm, në mënyrë që të garantohet që asnjë gjobë në përpjesëtim nuk mund të vendoset për ofruesit e shërbimeve elektronike të publikimit. Zyra ime do të monitorojë nga afër zbatimin e ligjit i cili në asnjë mënyrë nuk duhet të pengojë lirinë e shprehjes dhe lirinë e mediave. AMA duhet të zbatojë ligjin në një mënyrë vërtet të pavarur,” thuhet në njoftimin e OSBE në Twitter, që më poshtë ka marrë një vlerësim nga deputetja socialiste, Mirela Kumbaro.
‘Konfuzionin’ pas këtij mesazhi e sqaron analisti Neritan Sejamini.
“Për ata që po vrasin mendjen të kuptojnë qëndrimin e OSBE-së për ligjet ‘Rama’ kundër medias, një përkthim në gjuhën e thjeshtë shqipe i qëndrimit të OSBE-së është: Ne u përpoqëm dhe bëmë ca rregullime, kështu që ligji që po miratohet nuk është më i keqi fare. Tani, në të vërtetë, ligji është prapë i keq, por ne premtojmë që do perpiqemi që aktet nënligjore (që i bën qeveria) të jenë të mira. Po nuk qenë as ato të mira, ne do përpiqemi që AMA ta zbatojë ligjin e keq me dorë në zemer dhe të mos bëjë shumë dhunë ndaj mediave,” shkruan ai.