Mesazh për solidaritet dhe reflektim përcollën krerët e kishës katolike dhe ortodokse në prag të festave të fundvitit.
Kryepeshkopi Janullatos në mesazhin e tij shprehu solidaritet dhe paqe për të gjithë shqiptarët duke deklaruar se në një kohë tepër të ashpër duhet të jemi të gjithë bashkë me njëri-tjetrin.
"Tensionet dhe konfliktet po torturojnë botën. Do të kremtojmë Krishtlindje në mënyrë më esenciale vetëm nëse marrim pjesë sipas mundësive tona në përpjekjet për pajtim."
Duke nisur nga tragjedia që shkaktoi tërmeti i 26 nëntorit, mesazhi i Krishtlindjes i Arqipeshkvit Angelo Massafra u drejtohet të gjithë shqiptarëve për të reflektuar për mbylljen e plagëve të korrupsionit dhe largimit të të rinjve nga vendi.
"Kush e di nëse gjithë kjo rrëmujë shoqërore që jemi duke përjetuar në këtë moment nuk favorizon formimin dhe specializimin në artin e politikës të personave pa interesa personale por me një dashuri të madhe për atdheun, të gatshëm për tu vënë në drejtimin e vendit. Kush e di nëse largimi nga vendi i shumë të rinjve dhe shumë familjeve nuk është një rast për ata që qëndrojnë që të rishikojnë gjendjen aktuale të vendit".
Shfrytëzoni Krishtlindjen për tu ardhur në ndihmë kujdo që ka nevojë apeluan Janullatos dhe Massafra në përfundim të urimit të tyre.