Jo vetëm në Kosovë, por duket se edhe në Maqedoni partitë shqiptare po rreshtohen në bllok kundër mini Shengenit Ballkanik të nisur nga Vuçiç, Rama dhe Zaev.
Madje kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, angazhimi në nismën e mini Shengenit po i sjell probleme në marrëdhëniet me partitë shqiptare.
Radio Evropa e Lirë informoi se, Kryeministri në largim Zaev, që reklamoi sot nismën i bëri thirrje partive shqiptare që të tregojnë hapur kundërshtitë që kanë.
“Aleanca për Shqiptarët (ASH), Lëvizja Besa dhe Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), të tregojnë se çfarë i shqetëson lidhur me marrëveshjet e minishengenit dhe unë jam gati të them se pse ato janë nënshkruar. Ato duhet të thonë se pse janë kundër, çfarë u pengon? Të tregojnë se a janë ata kundër uljes së taksave, a kundër kolonave të gjata në vendkalimet doganore … A janë ata kundër heqjes së vizave në tregun e punës në rastet kur një turist ka hyrë tashmë në një prej shteteve anëtare të nismës së minishengenit?”
Partitë shqiptare kanë dalë kundër nismës së mini Shengenit për shkak të mos pjesëmarrjes së Kosovës. Ajo nuk merr pjesë në këtë nismë pasi pavarësia e saj nuk njihet nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.