Champions League/ Renditja e më të mirëve në histori, kryeson Reali. Tirana, e para nga ekipet shqiptare

Tuesday, 24 December 2019 21:45

UEFA publikoi renditjen e të gjitha kohërave në Champions League.

Skuadra më e mirë e kontinentit të vjetër është Reali i Madridit, 13 herë kampion i Europës. Klubi mbretëror spanjoll ndiqet nga Bayern Munchen, ndërsa Barcelona plotëson podiumin.

Për klasifikimin janë marrë parasysh rezultatet në çdo ndeshje, duke llogaritur edhe turet kualifikuese. Çdo fitore është vlerësuar me dy pikë, ndërsa barazimet me një. E para nga italianet është Juventusi, në vendin e pestë, pas Manchester United.

Kampionët e Italisë ndiqen nga Milan dhe Liverpool. Përllogaritja ka nxitur mjaft diskutime, pasi Interi ndodhet në vendin e 14, pas ekipeve si Celtic apo Dinamo e Kievit.

Gjithashtu, PSG është vetëm në vendin e 30, ndërsa Manchester City pozicionohet i 44, pas FC Kopenhagen.

Në renditjen speciale të UEFA-s janë edhe 8 skuadra shqiptare. Tirana, në vend të 147, pozicionohet më lart se të gjitha ekipet e kampionatit shqiptar, duke lënë pas vetes emra si PAOK, Sampdoria, Malaga apo Parma.

Skënderbeu është në vendin e 165, ndërsa Partizani në vend të 191. Në listë janë edhe Vllaznia, Dinamo, Kukësi por edhe Flamurtari e Elbasani.

Në klasifikim figurojnë edhe tre skuadrat e Superligës së Kosovës: Feronikeli, Drita dhe Trepça. Skuadra nga Drenasi pozicionohet më lart se të tjerat, në vendin e 286, e pavarësisht faktit se ka marrë pjesë vetëm së fundmi në arenën ndërkombëtare, Feronikeli ka kaluar edhe Kukësin, i cili ndodhet i 294 mes 520 skuadrave nga i gjithë kontinenti.

Login to post comments