Historia e Entelës që u largua me diplomën e mjekes në Gjermani: Në Shqipëri mu mbyllën dyert

E mërkurë, 25 December 2019 09:00

16 vite më parë kur Entela Hamiti mori në dorë diplomën si mjeke nuk e mendonte kurrë se një ditë nuk do tu shërbente bashkëkombasve të saj.

Ajo sot gjendet në Gjermani prej nga ku na tregon rrugëtimin e saj dhe vendimin për tu larguar nga vendi.

Fillimi i karrierës në shërbimin shëndetësor shqiptar ishte shumë i vështirë për Entelën.

Në një intervistë për emisionin “Tempora”, Entela Hamiti rrëfen se si vendosi të mos heshtë përballë problemeve që konstatonte çdo ditë në punën e saj.

Entela nuk e gjeti veten në shërbimin shëndetësor edhe pas shumë vitesh kontribut, ndaj në 2018 thotë ajo mori vendimin e vështirë për tu larguar drejt Gjermanisë.

“Tentova të isha ajo mjekja që kisha ëndërruar që e vogël, të bëhesha kardiologe, endokrinologe apo një mjeke specialiste e çdo fushe në mënyrë që të rritesha jo vetëm profesionalisht por edhe t’ju jepja shërbim më të mirë pacientëve të mi por u përballa me dyer të mbyllura, korrupsionin, fyrje. Në këtë moment të dëshpëruar nuk dija çfarë të bëja më dhe një miku im që ndodhej në Gjermani dhe punonte prej kohësh më thotë pse nuk mëson gjermanisht dhe të vish, këtu do të gjesh veten. Ishte vendim i vështirë për mua pasi nuk isha më vetëm, kisha familje, kisha fëmijë që duhet ti transferoja, por dëshira e madhe për profesionin më dha mundësinë dhe guximin të ecja përpara. Rruga nuk ishte e lehtë, duhet të vija shpesh për të dhënë provime të gjuhës, biletat ishin të shtrenjta. Por më në fund ja dola, sot jam në vendin që kam ëndërruar gjithmonë. Kam filluar specializimin për kardiologji ndërkohë që edhe punoj”.

Ngjan paradoksale, por Entela flet shqip nëpër pavionet e spitalit ku punon në Gjermani.

“Ka edhe shqiptarë të tjerë që punojnë si mjekë ose infermierë. Pothuajse në çdo pavion ka nga një koleg mjek shqiptar dhe ndihem shumë e lumtur që mund të takohemi dhe flasim me njëri-tjetrin shqip”.

Por a e mendon kthimin?

“Po, vetëm nëse do të ketë një sistem shëndetësor i cili të mos më shigjetojë mua si shkaktar të gjithë problemeve që ka sot mjekësia”.

Login to post comments