Një 43-vjeçar është vënë në pranga nga policia pasi qarkullonte me armë zjarri në brez, me fishek në fole gati për qitje. Ai u arrestua mbrëmjen e djeshme në qytetin e Shkodrës, në rrugën “Isuf Sokoli”, të lagjes “Kongresi i Përmetit” dhe bëhet fjalë për shtetasin E. K., 43 vjeç.
Gjatë kontrollit fizik, Policia i gjeti këtij shtetasi në brez një armë zjarri pistoletë, me një fishek në fole gati për qitje dhe 29 fishekë të tjerë të vendosur në dy krehra.
Autoritete njoftojnë se vijon puna për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje, qëllimit të qarkullimit me pistoletë me fishek në gojë, pasi nga të dhënat e marra në rrugë operative dyshohet për përfshirje në një ngjarje të mundshme kriminale.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, në ngarkim të shtetasit E. K., për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”.