Tre lajmet e zeza për festat

E mërkurë, 25 December 2019 14:13

Sot duhej të ishte një ditë feste, megjithatë viti i vështirë ekonomik, i shoqëruar nga drama e rëndë e tërmetit të 26 nëntorit, ka bërë që kriza në vend të thellohet nga pikëpamja ekonomiko-sociale.

Tre raportime të së mërkurës e konfirmojnë këtë situatë.

Fillimisht, Shoqata e Tur-Operatorëve turistikë bëri të ditur se sivjet nuk ka pasur pothuajse asnjë organizim apo prenotim të të huajve për festat e funvtit. “Shqipëria në tre-katër vitet e fundit është preferuar nga të huajt për organizimin e Vitit të Ri, por pas tërmetit si agjenci kemi pasur anulime”, u shpreh përfaqësuesi i Shoqatës së Tur-Operatorëve Besnik Vathi.

Më pas, BIRN publikoi një reportazh të gjatë, që tregon se si tërmeti ka zbehur atmosferën e festave dhe fuqinë blerëse në Shqipëri. Të zhgënjyer me atmosferën e sezonit festiv shprehen dhe pronarët e bizneseve të vogla, të cilët nënvizojnë se në krahasim me vitet e shkuara njerëzia po shpenzojnë pak, për shkak të ndjenjës së pasigurisë që lanë pas lëkundjet shkatërrimtare e tokës. Sipas tyre frika dhe paranoja që ka shkaktuar ky tërmet ka krijuar një gjendje të rënduar psikologjike që ka ndikuar si pasojë edhe tek fuqia blerëse në biznese.

Në fund fare janë ata që preken më shumë në situata krize: të moshuarit. Qeveria ka akorduar për ta një shumë prej 3 mijë lekësh si shpërblim për ta. Por ndërsa shuma ka nisur të shpërndahet, pensionistët ankohen: “Nuk janë asgjë, vetëm lodra fëmijësh mund të blesh”.

 

Login to post comments