“Më kërcënon të heq dorë nga gjyqi” – Gruaja rrëfen çastet e fundit me burrin: Na ra si bombë, mbeti nën rrënojat e shtëpisë së grekut! ‘Lufta’ me avokaten për dëmshpërblimin

Premte, 27 December 2019 17:56

Edhe pse e martuar me shkuesi, Tefta Kurti u dashurua me bashkëshortin e saj dhe filluan një jetë në Edisa të Greqisë, ku lindën dy fëmijë. Kjo lumturi nuk do të zgjasë shumë, pasi burri humbet jetën në një aksident, gjatë punës, në shtetin grek.

bombe

 

 

KJo është historia e dhimbshme e 42-vjeçares nga Dibra, që u trajtua sot në studion e emisionit me “Zemër të Hapur”, në News24.

 

Kur gruaja merr vesh lajmin e hidhur, nuk e përballon dot dhimbjen dhe humbet ndjenjat. E vetme me dy fëmijë në një shtet të huaj, 42-vjeçarja lufton për të rritur vajzat jetime, por duke mos lënë pas dore zbardhjen e të vërtetës. Aksidenti tragjik që i merr jetën të riut, ndodhi me datë 25 tetor të 2010, teksa punonte për të shembur shtëpinë e pronarit kundrejt një pagesë prej 50 euro dita

Por, fatkeqësisht, shqiptarin emigrant, Lavdërim Kurti, e zënë rrënojat brenda, së bashku me kushëririn e tij dhe gruan e pronarit, edhe këta u nxorën të vdekur. Tragjedia ndodh si pasojë e shembjes së shtëpisë, ku punonin dy kushërinjtë, pasi ishte pa leje shembjeje dhe përbënte rrezik.

Pas ngjarjes, Tefta çdo ditë lufton me avokaten për të drejtën e burrit, për të marrë dëmshpërblimin që i takon. Një shumë, që sipas saj, duhet t’i sigurojë të ardhmen vajzave, por fatkeqësisht të gjitha proceset gjyqësorë manipulohen dhe nuk i jepet asnjë informacion. Ajo ndihet e nëpërkëmbur nga shteti grek. Pronari, thotë Tefta, ka shumë lekë dhe njohje, duke bërë që e drejta e saj të minohet.

Madje, shpesh herë ajo është kërcënuar prej tij, vetëm që të heqë dorë nga gjyqi. Pas nëntë vitesh Tefta nuk ka marrë atë që i takon me ligj, vazhdon të luftojë për të drejtën e saj, por pa shpresë. E diskriminuar nga shteti grek, 42-vjeçarja i drejtohet emisionit me “Zemër të Hapur”, që të marrë disa këshilla të sinqerta për fatkeqësinë që po kalon.

Për më shumë ndiqni historinë…!

Tefta Kurti: Jam shumë krenare që keni këtë emision. Të zbardhet e vërteta e emigrantëve. Kanë shkuar gjallë dhe janë kthyer të vdekur. Me burrin jam njohur me shkuesi. Kemi qenë të lumtur. Shkuam dhe ndërtuam një jetë në Edisa të Greqisë. Ka qenë dëshira e burrit që më mori në Greqi. Kemi qenë shumë të lumtur. Burri ka qenë 19 vjeç kur ka emigruar. Pastaj kur u martuam, shkuam në Greqi, na strehoi një familje greke. Na ndihmuan shumë. Pastaj morëm një shtëpi me qira. Një jetë shumë të vështirë. Nuk llogarisja asgjë. Doja të isha e lumtur me bashkëshortin. Punonim punë bujqësore. Në fshat ku ishim ne, nuk kishte shqiptarë të tjerë. Më respektojnë shumë shqiptarët. Me shtetasin grek nuk kemi probleme. Por kur mu vra burri në familjen e tyre. Burri punonte në ndërtim. Shumë herë e lija gocën te komshija. Kur kthehej burri shkonim dhe punonim pasdite në bujqësi.

Çfarë ndodhi me 25 tetor të vitit 2010?
Po pastroja një shtëpi. Në darkë burri më bëri një çaj me tha: pije shpirt këtë dhe pusho. Në mëngjes burri përqafon gocat dhe mua. Nuk e kishte bërë asnjëherë këtë gjë. Shkuam te greku të pastronim. Burri shkoi në punë. Mora vesh në televizor se ka vdekur një shqiptar. E kuptova që burri punonte atje. Më ra të fikët. Pronari i kishte kërkuar që ta prishte shtëpinë sa më shpejt. Ishte pa leje. E zonja e shtëpisë më tha që është vrarë një shqiptar. Mos është burri jot? E mora direkt në telefon, por nuk punonte. Më ka çuar në spital e zonja e shtëpisë. Atje ishin mbledhur familjarë të pronarit. Humbën jetën tre persona, kushëriri i burrit dhe pronarja e shtëpisë.

Si e gjeti këtë punë burri?
Te shtëpia ku punonte burri nuk ka pasur leje ndërtimi. Ligji thoshte deri në vitin 2008, se është e rrezikshme zona pranë shtëpisë ku u shemb. Pronari e merrte në orë 11:00 të natës për punë. E presiononte për ta shembur shtëpinë. Të hënën e 25 tetorit të 2010-së, është vrarë burri im. Sigurimi teknik dhe zona ishte urdhëruar të mos shembej. Pronari ia dha 40 euro ditën e punës. Në spital mora vesh që ka vdekur. Vajza e madhe merr në telefon dhe thotë: edhe mami dhe babi kanë vdekur. Ka qenë momenti më i vështirë i jetës time. Këtë informacion ia kishte dhënë shkolla vajzës. Kur erdhëm në Shqipëri ndenja vetëm 3 ditë, sepse s’doja të ndaloja shkollën e vajzave.

Si ia shpjegove vajzave?
Gocat e kuptuan në darkë. I ka marrë familja greke ku pastroja shtëpinë. Kur ka hyrë vajza e madhe në shtëpi ka qarë shumë, ndërsa e vogla u ngri nga trishtimi. Kemi jetuar me pastrim shtëpiash. Burri ka qenë njeri shumë i mirë. Kemi pasur marrëdhënie shumë të mirë bashkë. Nuk është e drejtë që në një zyrë shtetërore të sillen në atë mënyre. Unë kisha humbur njeriun e shtëpisë. Kërkoj të drejtën time. Kam edhe dokumente nga gjykata me firmë. Kaloja nga zyra e avokates dhe më ofendonte pronari. Pas dy javësh pronari donte të më shtypte me makinë. Mora avokaten, por më tha lëre, lëre. Kam bëre denoncime në polici, por nuk janë marrë masa ndaj tij. Ai ka njoftësi kudo. Avokatja ime nuk më përkrah për asgjë. Avokatja thotë unë merrem vetëm me shpërblimin. Por ku është shpërblimi? Unë nuk kam marrë asgjë. Kaluan nëntë vite dhe nuk kam marrë asnjë lekë. Ngjarja ndodhi te shtëpia e vjetër e pronarit. Ai donte ta prishte shtëpinë. Më vonë kam dëgjuar që ka shkuar e zonja e shtëpisë për t’iu çuar kafe dhe në shembje kishte mbetur vetëm një ballë muri. Ka qenë duke diskutuar me burrin për projektin dhe u shemb muri, duke zënë brenda burrin, kushëririn e burrit dhe pronaren e shtëpisë.

U dënua njeri nga kjo ngjarje?
Nuk u dënua asnjë njeri për këtë ngjarje. Avokatja nuk më jepte shpjegime pas gjyqit, nuk më hap telefonin, nuk më jep dokumente dhe asgjë. Unë kam një vërejtje. Kam firmosur çdo dokument që më jepte avokatja me besim. Kam dëgjuar që masën e dënimit e kanë marrë me pagesë. Ishte një avokat pensionist dhe e ndihmonin kunatin. Dhe ky më tha a do të ndihmoj me avokat? Unë nuk njihja asnjë. Avokatja dhe pronari janë bashkë. Avokatja më thotë: nuk e di nëse do marrësh shpërblim, e vendos shteti. Unë nuk e di se çfarë ka shkruar në dokumente. Avokatja nuk e tregon shumën. Më duket që ka kërkuar 1 milion euro e gjysmë. Ky ka dalë vendim nga gjykata. Avokatja nuk e ka pranuar dhe e ka hedhur në gjyq tjetër. Unë kisha nevojë për ato lekë. Në gjyqin tjetër zbriti në 40 mijë euro shuma e shpërblimit. Tani çështja është në gjykatë të lartë.

Melita, motra e burrit: Na ka ardhur si bombë. Unë rri në Tiranë, por nëna ime jeton në Dibër. Që atëherë nëna ime është sëmurë. Ajo ka qenë një bombë për në. vëllai ka qenë shumë i kujdesshëm. Nuk e besuam atë që i ndodhi. Kam shkuar në disa procese gjyqësorë për të mbështetur Teftën. Avokatja nuk më ka pëlqyer asnjëherë, na shikonte keq. Ia kam thënë Teftës, që nuk më pëlqen. Në gjyq flisnin, por ne nuk kuptonim gjë. Nuk kishim as përkthyes. Pyesnim Teftën, kjo thoshte mirë.

Tefta, bashkëshortja e të ndjerit: Unë nuk i kuptoj ato që firmos. Avokatja më thotë: e di unë se jam avokate. Nëse nuk firmos më thotë nuk shkoj në gjyq. Unë nuk di dëmshpërblimin. Kam duruar shumë. Avokaten e mbaja se s’kisha njeri. Kam qenë shumë e tmerruar. Tani jam më e fortë. Greku e ka kthyer gjithë pasurinë në emër të fëmijëve. Avokatja bëri denoncim që pasuria të kthehej mbrapsht. Avokatja më merrte në telefon vetëm për lekë. 3 mijë ka marrë dëshmitari, 3 mijë ka marrë avokatja për shpitë që ka kthyer greku në emër të fëmijëve, 2 mijë ka marrë ajo. Dhe 600 euro prapë për gjyqin e shtëpive.

Melita, motra: Unë dua drejtësinë vëllait.
Tefta Kurti, bashkëshortja: Falënderoj emisionin tuaj. Kërkoj drejtësinë e burrit dhe për të gjithë ata që kanë pasur probleme të tilla.

Login to post comments