Dy të ashtuquajtur taksistë klandestinësh janë arrestuar në Han të Hotit ndërsa tentuan të kalojnë drejt malit të Zi 9 emigrantë! Për shkak të fluksit të shtuar, qeveria malazeze paralajmëroi pak ditë më parë vendosjen e ushtrisë në kufi.
Një tjetër tentativë për dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit është goditur nga Policia e Shkodrës.
Dy persona u arrestuan teksa po transportonin 9 klandestinë kundrejt pagesës.
Në pranga ranë Admond Aliaj, 30 vjeç dhe Fatos Hasaj 45 vjeç.
Ata u kapën pranë pikës së kalimit kufitar të Hanit të Hotit, ndërsa me mjetet e tyre po transportonin 9 shtetas të huaj algjerianë dhe tunizianë.
Synimi ishte ti ndihmonin të kalonin në mënyrë të paligjshme në Malin e Zi, prej nga ku klandestinët do të synonin të udhëtonin me tej drejt vendeve të Bashkimit Europian.
Që kur Shqipëria u përfshi në rrugën e emigrantëve drejt Bashkimit Europian, policia ka goditur disa dhjetëra raste të të ashtuquajturve taksistë të klandestinëve.
Linjat e trafikimit nisin nga kufiri me Greqinë në qarkun e Korçës ndërsa pagesat nisin nga 200 deri në 500 Euro për person, sipas të dhënave të Policisë së Shtetit.
Pranvera dhe vera shënuan fluks të shtuar të tentativave të kalimit të klandestinëve, ndaj prej majit në kufirin me Greqinë janë vendosur forcat e FRONTEX.
Por pavarësisht, masave të shtuara të shumta kanë qenë rastet kur emigrantët kanë arritur ti shpëtojnë rrjetës në kufirin e gjelbër jugor dhe janë kapur në tentativë për të arritur kufirin me Malin e Zi.
Për shkak të fluksit të shtuar, qeveria malazeze paralajmëroi pak ditë më parë se në fillim të vitit do të vendosë ushtrinë në kufi.
Afro 8,000 emigrantë nga Lindja e Mesme dhe Afrika e Veriut kanë kaluar tranzit Malin e Zi në vitin 2019 – gati dyfish më shumë se vitin paraprak, ka njoftuar më herët Organizata Ndërkombëtare për Migrim.