42 shqiptarë në zonën e konfliktit, një punonjës i NATO-s u evakuua nga Bagdadi

E mërkurë, 08 Janar 2020 17:52

42 shtetas shqiptarë ndodhen në zonën e prekur nga konflikti i ditëve të fundit mes SHBA dhe Iranit, por asnjë bashkëkombas  nuk është prekur nga sulmet e deritanishme. Ministria e Jashtme tha se vetëm një shqiptar i punësuar nga NATO është evakuar nga zona problematike në Bagdad, ndërsa personeli tjetër është i sigurt.

Asnjë shqiptar nuk është plagosur nga sulmet me raketa balistike të Iranit ndaj dy bazave amerikane në Irak.

Sipas burimeve të Ministrisë së Jashtme, në Erbil të Irakut, ku ndodhet një prej bazave amerikane të sulmuara, ndodhen 30 shtetas shqiptarë.

Ata janë personal civil dhe jo pjesë e misionit trajnues të NATO-s.

Mësohet gjithashtu se në kryeqytetin e vendit në Bagdad, ka 12 shtetas shqiptarë. Edhe për ta konfirmohet se nuk ka të plagosur.

I vetmi i punësuar në misionin e NATO-s, një specialist buxheti, është jashtë rrezikut pasi është evakuuar para fillimit të sulmeve nga ana e Iranit.

Më herët edhe Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar se në Irak nuk ka personel ushtarak shqiptar.

Është ende i paqartë dëmi i shkaktuar nga sulmet iraniane, por mediat ndërkombëtare thonë se agjencitë e zbulimit të Irakut i kanë lajmëruar forcat amerikane paraprakisht, duke u dhënë mundësi të largohen dhe të strehohen në bunkerë.

Login to post comments