Prej shumë vitesh, hapësira mediatike shqiptare pushtohet nga shprehje patetike “policia arreston dhe drejtësia liron”. Këtë togfjalësh e kanë përdorur qeveritë shqiptare, pavarësisht ngjyrimeve politike.
Natyrisht, kryeministri aktual, Edi Rama, e ktheu në strategji të tijën luftën kundër gjyqësorit, për të justifikuar pushtetin dhe për të mbuluar aferat gjigande korruptive, për të cilat ka akuza të shumta publike.
“Policia arreston, gjykata liron” është rikthyer sërish fuqishëm në skenën publike kohët e fundit, sidomos në median pro-qeveritare, për të shpjeguar, sipas tyre, lirimin e një pjese të madhe të të arrestuarve në ato që policia ka dëshirë t’i quajë mega-operacione.
Kryeministri Rama i konsideron “KÇK” (“Kap Çfarë të Kapësh”) gjyqtarët që lehtësojnë pozitat proceduriale të të arrestuarve me bujë nga Polici-Prokurori. Por, përtej një doze “korrupsioni” në drejtësi, e vërtetë, shpesh, është larg rrebeshit të fjalëve të kreut të Qeverisë.
Gjithësesi, kur çështjet trajtohen në gjykatë, çështjet shtrihen në aspektin procedurial, diskutohen provat, faktet, por edhe kriteret për caktimin e masave të sigurimit, të cilat, jo gjithnjë janë të justifikueshme në nivelin ekstrem.
“Boldnews.al” po trajton, shkurtimisht, disa nga rastet e fundit, kur arrestimet e bujshme kanë rezultuar fiasko në gjykatë apo të ndaluarit janë liruar shumë shpejt nga qelitë, për të vijuar hetimi ndaj tyre në gjendje të lirë.
Biznesmenët, show dhe “arrest i paligjshëm”
Në Shtator 2019, Prokuroria e Tiranës, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit dhe Hetimin Tatimor, finalizuan një operacion, për arrestimin e mbi 10 biznesmenëve, pjesa më e madhe e të cilëve nga ata që konsiderohen “të mëdhenj”, si të dyshuar për krijim skeme mashtruese me TVSH-në (Tatimin mbi Vlerën e Shtuar).
Gjykata e Shkallës së Parë, me shumë mundësi nën efektin e shoë-t mediatik e policor, caktoi ndaj këtyre biznesmenëve “arrest me burg”. Pak ditë më vonë, Gjykata e Apelit e Tiranës, jo vetëm që i liroi të gjithë biznesmenët, por konstatoi se ndalimet e tyre ishin tërësisht të paligjshme.
Ka nga ata ligjërues publik, të mbështetur nga turma anonime e komentuesve në rrjete sociale, të cilët i etiketojnë menjëherë këto raste si “korrupsion në drejtësi”. Ndoshta edhe mund të jetë ashtu, por, përtej fjalëve, nuk ekziston asnjë lloj prove.
Nga ana tjetër, shumë-kush nuk merr mundimin të lexojë argumentat e gjykatës, për të kuptuar se, në një numër të konsiderueshëm rastesh, Policia, prej kohësh me mbështetjen e Prokurorisë, janë përfshirë në një spirale “shoë” me arrestime masive, të bujshme, por pa prova. Të paktën, kështu ka konstatuar gjykata në vendime të ndryshme, gjatë kohëve të fundit.
“Abuzuesit”, show pa prova
Në Durrës, pak ditë më parë, gjykata liroi pjesën më të madhe të të arrestuarve të “mega-operacionit” të emërtuar “Abuzuesit”, ku përfshihen zyrtarë policorë, lokalë dhe persona privatë, të dyshuar se kanë lejuar ndërtime pa leje.
Në dosjen gjyqësore, të paktën sipas asaj që autoritetet shpërndanë në media, nëpërmjet “burime informale”, ka përgjime dhe prova se si zyrtarët policorë kanë lejuar ndërtimet pa leje.
Por, para gjykatës, këto prova duket se nuk kanë qenë të atij niveli, sa për të mbajtur në burg zyrtarët policorë. Për më tepër, është e paqartë se cili është veprimi jo-ligjor i zyrtarëve policorë, kur, në bazë të ligjit, kontrolli mbi ndërtimet e paligjshme nuk është përgjegjësi e Policisë, por e inspektorateve ndërtimore.
“Tërmeti”, show me “peshqit e vegjël”
Prokuroria e Durrësit urdhëroi ndalimin e rreth 20 personave, mes të cilëve zyrtarë të nivelit bazë dhe ndërtues, pas dëmtimit të godinave, si pasojë e tërmetit të 26 Nëntorit 2019.
Arrestimet në Durrës u nxitën fuqishëm nga kryeministri Edi Rama, i cili, për të shmangur përgjegjësitë qeveritare mbi keq-menaxhamin e situatës post-tërmet, kërkonte me ngulm gjetjen e disa përgjegjësve.
Policia dhe Prokuroria e Durrësit ishin të parët që iu përgjighën apelit të Ramës. Firmat e tyre u vendosën në urdhërat e ndalimit për disa persona, tejet periferikë, duke shmangur nga hetimi dhe përgjegjësia penale, drejtuesit lokalë, ata të cilët kanë lejuar ndërtime në kundërshtim flagrant me ligjin.
Për këta persona, edhe gjykata u konsiderua e vendosur për t’i mbajtur në burg, përsa kohë që lista emërore e të dyshuarve zyrtarisht nuk prek “kokat” e lejeve të ndërtimit në Durrës.
“Tërmeti”, show i fundit në Tiranë
Prokuroria e Tiranës ka urdhëruar së fundmi ndalimin e 37 personave, të dyshuar si përgjegjës për dëmtimet e godinave, pas tërmetit të 26 Nëntorit. Policia gjyqësore arriti të ndalonte 30 prej tyre, ndërsa pjesa tjetër janë shpallur në kërkim, pasi rezulton të jenë larguar nga Shqipëria shumë ditë përpara.
Në krye të listës së gjatë të të ndaluarve qëndrojnë ish-kryetarë komunash, tek-tuk ndonjë inspektor, disa ndërtues, projektues e topografë.
12 arrest shtëpi, 11 detyrim paraqitje, 7 arrest me burg.
Këtë të Shtunë, gjyqtarja Vjollca Spahiu vendosi të lirojë pjesën dërrmuese të të ndaluarve, duke mbajtur në qeli vetëm 7 prej tyre, përfshirë dy ish-kryekomunarët e Farkës dhe Kasharit, Fatbardh Plaku e Besnik Fuçia.
Për 12 prej të ndaluarve, gjykata vendosi “arrest në shtëpi”, ndërsa për 11 të tjerë vendosi “detyrim për paraqitje”.
Ata dyshohen për kryerjen e veprave penale të “Ndërtimit të paligjshëm” dhe “Shpërdorimit të detyrës”.
Edhe këto masa të dhëna nga gjykata e parë, me shumë mundësi mund të rrëzohen në Apel, pasi avokatët e të arrestuarve janë të bindur se, për veprat penale të cilat u atribuohen personave nën hetim, ose janë parashkruar, ose nuk ka prova bindëse për vërtetësinë e tyre.
Ish-zyrtarët lokalë të komunave kanë të paktën 4 vjet që nuk janë në detyrë. Në aktet e prokurorisë, me shumë mundësi, gjenden edhe vendimmarrjet e tyre, për të cilat sot janë nën arrest. Në rast se ato vendimmarrje preken nga parashkrimi i veprës penale, personat e ndaluar, shumë shpejt do të fitojnë lirinë.
Seanca gjyqësore e shkallës së parë tregoi se arrestimet e bujshme të “mega-operacionit”, nuk duket se mbështeten në prova të forta. Shqyrtimi i masave në Apel mund të dëshmojë më shumë për faktin se arrestimet masive ishin pjesë e një shoë, në të cilën mungojnë hetimet dhe penalizimet për zyrtarë e ish-zyrtarë të lidhur me Partinë Socialiste në pushtet.
Gjithësesi, në rast sfumimi të këtij “mega-operacioni”, Polici-Prokurori, e mbështetur nga Qeveria, mund të aktivizojnë “turmën anonime” të rrjeteve sociale për të shfryrë se “Policia arreston, gjykata liron”.
Nga Boldnews.al