U rrëmbye në mes të ditës dhe u vra, flasin familjarët e 49-vjeçarit: Mbrëmë na thirri policia...

Tuesday, 28 Janar 2020 13:22

11 ditë pasi u mor peng në mes të Kamzës, Policia e Shtetit ka zbuluar fatin e 49 vjeçarit Jak Prenga, i cili ka humbur jetën si pasojë e dhunimit barbar që është ushtruar ndaj tij, në përpjekje për ta rrëmbyer dhe për ta çuar drejt një resorti në zonën e Shijakut.

Ndërkohë familjarët e Jak Prengës kërkojnë që drejtësia të vihet në vend. Në një prononcim për mediat Mark Sula, kunati i 49-vjeçarit u shpreh se i ka lajmëruar policia që mbrëmjen e kaluar se Jak Prenga ka ndërruar jetë.

“Janin e rrëmbyen dhe e vranë. Drejtësia të vihet në vend. Policia na thirri mbrëmë na tha ai nuk jeton më. Nuk i njohim të arrestuarit dhe as nuk kemi probleme. Jani nuk ka pasur konflikte me askënd. Shteti të gjejë trupin dhe ta sjellë në shtëpi.”– u shpreh kuanti.

Lidhur me këtë ngjarje policia ka vënë në pranga shtetasit: Leonard Hajri, Elton Hajri, Bajram Hajri dhe Olsi Turja, ndërkohë që resorti ku pretendohej të mbahej peng Prenga ka qenë në pronësi të shtetasit Altin Hajri, i cili ende nuk është arrestuar nga ana e policisë.

Altin Hajri nuk është i panjohur për policinë shqiptare pasi në tetor të vitit 2015 ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane, i dyshuar si koka e një rrjeti të trafikut të drogës nga Afganistani në Itali.

Ky rrëmbim dyshohet se ka ardhur si pasojë e një konflikti që një nga vëllezërit e viktimës ka pasur me organizatoret dhe rrëmbyesit, si pasojë e disa konflikteve kriminale në Britaninë e Madhe.

Nga ana tjetër për këtë rast Policia thotë se vijon hetimet, ndërkohë që nuk duhet ende vendodhja e Altin Hajrit, i cili dyshohet të jetë dhe koka në ideimin e këtij rrëmbimi, por që u mbyll me vrasjen e 49 vjeçarit, për trupin e të cilit nuk ka ende asnjë gjurmë.

Jak Prenga ishte baba i 5 fëmijëve.

Njoftimi i policisë:

Operacioni “Resorti”, për kapjen e autorëve të pengmarrjes së 49-vjeçarit, në Kamzë.

Operacioni nga forcat Speciale Renea, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë e Durrës, në koordinim nga Departamenti i Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Sekuestrohen armë zjarri, municion luftarak, aparate celular, automjete dhe një shumë eurosh.

Në vijim të punës nga grupi i posaçëm hetimor i ngritur për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur më datë 17.01.2020, në rrugën “London”, Kamzë, ku disa persona rrëmbyen 49-vjecarin J. P., pas një hetimi të thelluar, në bashkëpunim me prokurorinë, duke përdorur metodat proaktive, u bë e mundur zbardhja e kësaj ngjarjeje.

Në bazë të provave të grumbulluara nga grupi i posaçëm hetimor, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë nxori urdhër për të ushtruar kontroll në disa subjekte private, hotele dhe tri banesa private në fshatin Pjezë, Shijak, Durrës, si dhe urdhra ndalimi për disa shtetas.

Në këtë kuadër u zhvillua operacioni policor “Resorti”, si rezultat i të cilit u bë e mundur kapja dhe ndalimi i shtetasve:
L. H., 35 vjeç, banues në Shijak, i dënuar më parë;
O. T., 36 vjeç, banues në Shijak;
E. H., 32 vjeç, banues në Shijak;
B. H., 64 vjeç, banues në Shijak;

Gjithashtu, po në kuadër të operacionit, gjatë kontrolleve të kryera në disa subjekte private, hotele dhe tri banesa private në fshatin Pjezë, Shijak, Durrës, u gjetën dhe u sekuestruan 2 armë zjarri pistoleta, një sasi municioni, 16 aparate celular, 4 automjete dhe një shumë eurosh.

Nga veprimet e thelluara hetimore ka rezultuar se personat, pas rrëmbimit të shtetasit J. P., kanë shkuar direkt në resortin në pronësi të shtetasit A. H.

Po nga veprimet hetimore rezulton se personi i rrëmbyer, si pasojë e goditjeve të marra në Kamzë dhe humbjes së gjakut, ka ndërruar jetë gjatë rrugës për ta transportuar për në resort, aty ku do mbahej peng.

Gjithashtu, rezulton se personat janë kujdesur për ta fshehur trupin e shtetasit J. P., ndërkohë që forcat policore vijojnë kërkimet në zonën e Shijakut, për gjetjen e trupit.

Ky rrëmbim ka ardhur si pasojë e një konflikti që një nga vëllezërit e viktimës ka pasur me organizatoret dhe rrëmbyesit, si pasojë e disa konflikteve kriminale në Britaninë e Madhe.

Në bashkëpunim me prokurorinë vazhdon puna për identifikimin dhe kapjen edhe të personave të tjerë të përfshirë në organizmin dhe rrëmbimin e këtij personi, me pasojë vdekjen.

Për shkak të hetimit, nuk bëhen të ditura detaje të tjera dhe kërkojmë nga media që të mos publikojë informacione të pakonfirmuara, pasi cenojnë rëndë vijimin e hetimeve të kësaj ngjarjeje.

Materialet do t’i kalohen për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Tirane, për veprat penale “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit”, “Fshehja ose asgjësimi i kufomës”, “Moskallëzimi i krimit”, “Veprime që pengojnë zbardhjen e të vërtetës”, të kryera në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje.

Login to post comments