Karabinierët e Ostunit, në provincën e Brindizit, në bashkëpunim me policinë lokale, kanë arrestuar dje një shtetas shqiptar në kërkim prej një viti. Korado Shahini, 26 vjeç, u kap i fshehur në një vilë në fshatrat e zonës, i strehuar nga një vendas gjithashtu i njohur nga autoritetet. Sipas hetuesve, Shahini do të shkonte në Romë, te njëri nga vëllezërit e tij, për t’u kthyer më pas në Shqipëri.
Ai ishte në kërkim pasi duhet të përgjigjet për një sasi prej katër kilogramë marijuanë të kapur në shkurt të vitit të kaluar. Ndonëse rezulton si rezident në Romë, shqiptari ka qëndruar në vende të ndryshme gjatë vitit të fundit, duke shmangur arrestimin.
Shahini është arrestuar më parë nga karabinierët, më 25 korrik 2015, pasi i kishte shpëtuar për disa ditë arrestit në kuadrin e një operacioni të karabinierëve kundër trafikut të drogës, ndërkohë që ishte i dyshuar edhe për vjedhje dhe armëmbajtje.