I pyetur nga një qytetar lidhur me votimin dhe numërimin elektronik në zgjedhjet e ardhshme, kryetari i opozitës Lulzim Basha u shpreh se, ky është një prej prioriteteve të Opozitës së Bashkuar.
Sipas Bashës, kjo gjë do ta bëjë shumë më të lehtë për qytetarët që ta shprehin vullnetin e tyre pa u ndikuar nga paratë e pista apo nga krimi
"Ne do të bëjmë gjithçka që të realizohet votimi dhe numërimi elektronik . Votimi elektronik dhe numërimi elektronik janë prioritetet e Partisë Demokratike dhe opozitës së bashkuar në tryezën e Reformës Zgjedhore. Janë një nga pikat e programit të punës. Ne kemi parë në dhjetor se si mund të ndërtohet një sistem për votimin elektronik relativisht brenda një kohe të shkurtër, një sistem i thjeshtë, i cili mund të mos e eleminojë, por do ta bëjë shumë më të vështirë procesin e shitblerjes së votës apo të identifikimit të mënyrës se si kanë votuar zgjedhësit.
Pra do ta bëjë shumë më të lehtë për qytetarët që ta shprehin vullnetin e tyre pa u ndikuar nga paratë e pista apo nga krimi. Po, votimi elektronik, numërimi elektronik por edhe identifikimi biometrik, janë dhe mbeten prioritete për në në Reformën Zgjedhore. Ne duam dhe do të bëjmë gjithçka që në zgjedhjet e ardhshme të përdoret teknologjia dhe shqiptarët të votojnë në mënyrë sa më të sigurtë.
Natyrisht nuk varet vetëm nga ne. Pala tjetër duhet të bjerë dakord po kështu dhe e dyta, pala tjetër duhet të kishte nisur prej kohësh hapat për ta blerë këtë sistem, për ta testuar këtë sistem. Megjithatë më mirë vonë se kurrë. Ne do të bëjmë gjithçka që shqiptarët të votojnë me pasisje elektronike në zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe ato vendore në një ditë", u shpreh Lulzim Basha.