Ambasadorët nuk e duan Tiranën sepse është qytet i jetueshëm

Tuesday, 11 February 2020 19:57

Kryeministri Edi Rama dhe kryebashkiaku Erion Veliaj u shfaqën sërish në krah të njëri-tjetrit, ndërsa kreu i ekzekutivit nuk e lë asnjë moment pa e poshtëruar. Këtë herë ai tha se Veliaj i pëlqen ekzagjerimet, një konstatim i drejtë.

Të dy po flisnin për Tiranën në 100-vjetorin e saj si qytet, duke lavdëruar njëri-tjetrin për masakrën që kanë gatuar mbi kryeqendrën e vendit.

Sot Tirana është ndër qytetet më të ndotur në botë, ku vetëm hidhet beton ditë dhe natë. Sot Tirana është një qytet i zhytur në kaos, ku nuk mund të lëvizësh as në këmbë, as me urban dhe as me makinë. Sot Tirana është një qytet i mbivlerësuar për shkak se aty janë derdhur paratë e drogës dhe krimit. Sot Tirana është një qytet armiqësor për fëmijët dhe të moshuarit. Sot Tirana është një vend me taksa të larta dhe me shërbime skandaloze.

 
 

E megjithatë, kjo nuk e ndali kryeministrin që të tregojë dy histori, të cilat i ka të përsëritura. Ka filluar të harrojë, por kjo nuk ka rëndësi për momentin.

 

E para, tregoi historinë e atij diplomatit që nuk donte të linte Rinasin për të ardhur në Tiranë nga frika se ishte qytet nën pushtetin e krimit. Vërtet krimi nuk shënjestron diplomatë, por kujtdo që ia vë syrin, e eliminon pa pasur frikë se po shqetësohet nga policia apo shteti.

E dyta, përsëriti historinë se sa shumë aplikime ka për të fituar postet e ambasadorëve të huaj në Shqipëri. Ai tha se njëri që kishte qenë ambasador në Tiranë, kishte aplikuar për të ardhur sërish. Sipas Ramës, kjo ndodh pasi ata mendojnë se nuk ka si Tirana. Duhet të jesh naiv të besosh se ambasadorët vijnë në Tiranë sepse u pëlqen qyteti. Se përse e duan ata Tiranën, sidomos nën qeverisjen e Edi Ramës, këtë e di çdokush. Dilni në rrugë dhe ua thonë të gjithë.

Login to post comments