Anulohen të gjitha fluturimet hyrëse drejt Kosovës, nga zonat e prekura nga koronavirusi në Itali.
Përmes një postimi në Facebook, ministri i Infrastrukturës, Lumir Abdixhiku, ka konfirmuar lajmin.
Sipas ministrit Abdixhiku, këtë rekomandim emergjent e kanë marrë nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë, si refleksion i karantinës së vendosur nga qeveria italiane për Italinë veriore.
“Sot, në ora 12:40 kemi pranuar rekomandim emergjent nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë për anulimin e të gjitha fluturimeve që vijnë nga zonat epidemike të Italisë së Veriut – si reflekcion i karantinës së vendosur nga qeveria italiane në betejën kundër Coronavirusit. Si rrjedhojë, kam kërkuar anulimin e përkohshëm të të gjitha fluturimeve që vijnë nga kjo zonë epidemike e cilësuar si zonë me risk të lartë. Fluturimet janë ndërprerë. Ndjejmë keqardhje për masat e marra, por në situatën e tanishme nuk kemi alternativë. Jam në kontakt të ngushtë me Ministrin e Shëndetësisë Vitia dhe me Ministrin e Punëve të Jashtme Konjufca, për të koordinuar kontrollin ne Aeroport dhe asistencën eventuale ndaj udhëtarëve në zonat e rrezikshmërisë së lartë”, ka shkruar Abdixhiku.
Gjatë ditë së sotme Italia vendosi në karantinë rreth 16 milionë banorë për shkak të koronavirusit.