Koronavirusi “gjunjëzon” turizmin në Shqipëri

Diel, 15 Mars 2020 09:40

Koronavirus është kërcënimi i dytë për sektorin e turizmit në vend, pas tërmetit të vitit të shkuar. Tur-operatorët shprehen se kanë nisur anulimet masive për muajt mars, prill, maj. Mbetet e paqartë çfarë do të ndodhë me verën, por ata vlerësojnë se sezoni mund të vihet në pikëpyetje seriozisht. Çekët dhe polakët janë ata që po bëjnë më së shumti anulimet, ndërsa për nordikët, deri tani nuk ka ndryshime.
Disa nga partnerët kanë kërkuar kthimin e garancive, të tjerë i kanë shtyrë për sezonin 2021. Shoqatat e turizmit propozuan 12 pika për qeverinë, për t’i lehtësuar apo për t’i mbështetur në këto kohë të vështira ku sektori ka kaluar në kolaps. Ato nënvizojnë se modeli që ndoqi Italia për mbështetje është një shembull i mirë. Në të kundërt, falimentimi i industrisë nuk është skenar pa bazë, shumica e tyre kanë detyrime kredie dhe mungesa
Pas goditjes që i dha tërmeti i 26 nëntorit sektorit të turizmit, operatorët u munduan të tregoheshin optimistë, duke theksuar se kishte ende kohë për rikuperimin e imazhit të brishtë dhe për të pritur turistët e huaj në sezonin e ri. Zemra e turizmit të organizuar, Golemi, pritej që të paktën këtë verë, në mos të përjetonte suksesin e dy sezoneve të shkuara, të ishte jo shumë larg të njëjtave shifra.
Tashmë, asgjë nuk është e sigurt. Për herë të parë pas disa vitesh rritje të vazhdueshme, turizmi është “gjunjëzuar” ndaj një kërcënimi të ri, që nuk është vetëm një problem i Shqipërisë, por global, Koronavirus. Operatorët turistikë shprehen se pasiguria prej përhapjes së këtij virusi kudo në botë, përfshirë vendin tonë, po sjell anulimet e rezervimeve të sezonit veror 2020. Efekti është edhe më i ndjeshëm sipas tyre, pasi nuk janë rikuperuar ende humbjet e shkaktuara nga tërmeti. Raporti i vlerësimit të nevojës, që u mbështet nga Kombet e Bashkuara dhe u paraqit në Konferencën e Donatorëve, vlerësonte se humbja në industrisë e turizmit do të jetë në masën 75 milionë euro.
Nisin anulimet e rezervimeve nga çekët dhe polakët, sezoni veror në rrezik
Shoqatat e turizmit kanë vënë alarmin se nuk janë vetëm muajt prill, maj apo qershor që kërcënohen për zero aktivitet turistik në vend. Ajo që i shqetëson më shumë ata është mundësia që edhe sezoni veror këtë vit të vihet seriozisht në diskutim. Rrahman Kasa, nga Unioni Turistik Shqiptar, tha për “Monitor” se anulimet janë bërë masive dhe për këtë nuk duhet fajësuar kush, pasi është një situatë globale.
Por, sektori i turizmit, në hapat e parë të tij, duhet të mbështetet, pasi bizneset janë në proces shlyerje kredish apo vijim investimi. Sipas tij, kompanitë e huaja mund të anulojnë rezervimet dhe të kërkojnë pas kthimin e garancisë që kanë parapaguar, pa asnjë lloj penaliteti, pasi në situata të jashtëzakonshme si kjo e tanishmja, gjithçka justifikohet. Pra kompanitë janë brenda kuadrit ligjor.

 

Edhe Zak Topuzi, nga Shoqata e Hotelerisë, shprehet se disa operatorë të huaj kanë vendosur që garancitë t’i shtyjnë për sezonin e ardhshëm, në 2021, duke e lënë verën e vitit 2020 në mëshirë të fatit. Operatorët shqiptarë nuk kanë asnjë zgjidhje dhe janë të detyruar të zbatojnë këto kërkesa, ashtu sikurse ndodh me situatën në shumë vende të botës. Shoqatat e turizmit gjykojnë se pa një paketë lehtësuese për sektorin, mbijetesa e tij do të jetë e vështirë në 2020, kurse efekti social do të jetë edhe më i rëndë për të punësuarit në sektor.
Turizmi propozon paketë lehtësuese, 12 pika që i parashtrohen qeverisë
Qeveria përshkallëzoi masat në kuadër të emergjencës nga COVID-19, duke nisur fillimisht me anulimin e konferencave dhe aktiviteteve e duke përfunduar në një shtetrrethim total. Situata ka futur në ngërç gjithë ekonominë, por teksa bëhet balanca e prioriteteve, ajo që merr rëndësi është jeta e njerëzve. Ndaj edhe rezistencë për masat e rrepta që ndalojnë qarkullimin e njerëzve dhe mbyllin plotësisht apo pjesërisht bizneset, nuk ka pasur. Por, thuajse të gjithë po kërkojnë që të shihen mundësitë e lehtësimit nga qeveria për taksat dhe detyrimet apo nga bankat për kreditë. Sektori i parë që paraqiti një paketë të plotë kërkesash ishte turizmi. Operatorët mbajtën takime gjatë dy ditëve dhe të mërkurën e javës së shkuar, finalizuan një kërkesë me 12 pika që do t’i parashtrohet qeverisë për vendimmarrje.
Ata shprehen se në mënyrë që të ndihmohen bizneset për të përballuar situatën e vështirë financiare, shoqatat, përmes një shkrese zyrtare drejtuar qeverisë, kërkojnë që së pari të shihet mundësia e subvencionimit të pagesës së sigurimeve shoqërore për një periudhë 3-6 muaj për punonjësit.
Së dyti, të shihet mundësia që të pezullohet pagesa e tatim-fitimit për një minimum prej 3 muajsh në vazhdim.
Së treti, të bëhet të paktën 50% subvencionim i pagës së punonjësve.
Pothuajse të gjithë hotelet që ushtrojnë aktivitet gjithëvjetor dhe që tashmë nuk do të jenë të hapur as për turizmin e konferencave dhe aktiviteteve, do të detyrohen që punonjësit t’i dërgojnë në shtëpi, por nuk do të kenë mundësi që t’i paguajnë për aq kohë sa është pezulluar gjithçka. Duke kuptuar plagën sociale që do të sillte kjo situatë, bizneset e turizmit ranë dakord që të paguajnë 50% të pagës dhe gjysma të subvencionohet nga shteti.

Së katërti, u kërkua dhënia e granteve për subvencionim të pagave të mbetura.
Së pesti, shoqatat e turizmit kërkuan që të bëhet pezullimi i pagesave për shpenzime ujë, elektricitet për një periudhë 6-mujore.
Një tjetër pikë është taksa e pronës, ku u kërkua zhvlerësimi i saj për vitin 2020. Në pikën e shtatë kërkohet shtyrja e afatit për pagesën e taksave vendore, kurse në pikën tetë, pezullim për një vit të kësteve të kredive pa interes dhe pa penalitet.
Në pikën e nëntë, kërkohet që të mos paguhet për vitin 2020 e Drejta e Autorit. Në pikën e dhjetë, të hiqet taksa e aeroportit (10 Euro P/P).
Në pikën njëmbëdhjetë të rishikohet deklarimi i bilanceve të vitit 2019 në fund të muajit prill, kurse në pikën e fundit të shihet mundësia që të reduktohen taksat aeroportuale për fluturimet charter nga koncesionari i Aeroportit për vitin 2020.
Kërkesat e operatorëve shqiptarë vijnë në kushtet kur Italia fqinje ka ndërmarrë një sërë masash në ndihmë të sektorit. Ata kërkojnë që të ndiqet modeli italian, pasi nëse garantohet një vijueshmëri e suksesshme e sektorit të turizmit, atëherë edhe rimëkëmbja ekonomike është më e shpejtë.
Topuzi: Të ndiqet modeli italian, industria në kolaps
Qeveria vendosi që të mbyllte baret, restorantet dhe të mos lejonte zhvillimin e aktiviteteve masive si konferenca nëpër hotel. Kjo ishte një masë paraprake që më pas u përshkallëzua në një mbyllje totale të gjithçkaje, me përjashtim të farmacive e dyqaneve të ushqimeve.
Për sektorin e turizmit, këto masa e çuan atë në kolaps, edhe pse e pranojnë që kjo është e arsyeshme në situatën aktuale të koronavirusit. Zak Topuzi, nga Shoqata e Hotelerisë dhe Turizmit, nënvizon se paralelisht me këto masa, qeveria duhet të shohë edhe mundësinë për të dhënë një ndihmë ndaj sektorit, duke nënvizuar se modeli italian është një shembull i mirë.
“Me vendimet e qeverisë që mbyllin gjithçka, industria turistike ka kaluar në kolaps. Janë ndërprerë të gjithë llojet e aktiviteteve. Janë mbyllur edhe baret e restorantet. Në këto kushte, kjo është normale por duhet të ketë një diskutim për masa lehtësuese ose mbështetëse për sektorin.
Italia, që është fqinji ynë dhe po kalon një situatë serioze, po zbaton një paketë lehtësuese që lidhet me pagesat e sigurimeve shoqërore e shëndetësore, ngrirjen e kredive për një vit, aspekte të tjera ndihmëse.
Edhe ne si grup shoqatash të turizmit kemi vendosur që të kërkojmë diçka të ngjashme si modeli italian dhe shpresojmë që do të gjejmë mirëkuptim. Nuk ka rrugë të mesme, ose do të kalojmë në kolaps dhe do të dërgojmë njerëzit në shtëpi ose do t’i mbajmë me paga e të rrinë pjesërisht në punë me një afat të pacaktuar.
Situata duket e zymtë, pasi janë ndërprerë të gjitha aktivitetet, rezervimet. Të gjitha me një afat të pacaktuar. Kanë hyrë të gjithë në karantinë, edhe industria e turizmit. Por turizmi ynë nuk është ai i vendeve si Italia. Partnerët ndërkombëtarë në disa raste na kanë kërkuar që garancitë të mos i kthejmë, por t’i kalojmë për vitin tjetër, në sezonin 2021. Kjo lehtëson disi presionin e momentit nëse do të kërkohej kthimi, por turizmi nuk po jeton ditët e tij të mira dhe ka nevojë për mbështetje” – nënvizon Topuzi në një prononcim për “Monitor”.
Modeli italian i mbështetjes, çfarë masash lehtësuese dhe mbështetëse morën fqinje
Italia është vendi i dytë në botë pas Kinës që mori goditjen më të madhe nga koronavirusi. Numri i madh i viktimave dhe pacientëve që rezultuan pozitivë çuan në karantinim të të gjithë vendit, nga 10 zona që ishin në fillim, kryesisht në veri të vendit.
Në situatën e vështirë ekonomike, qeveria italiane deklaroi se do të ndihmonte bizneset dhe rimëkëmbjen me 7.5 miliardë euro, duke synuar rikuperimin e pjesës më të goditur. Por kryeministri Giuseppe Conte, në një dalje të fundit, njoftoi se kjo paketë do të shkonte 25 miliardë euro. Paketa e plotë e ndihmës mbetet për t’u detajuar dhe për t’u votuar, ndërkohë që masat e para të deklaruara lidheshin me hotelerinë, pezullimin e faturave të ujit dhe mbështetjen e të vetëpunësuarve me një pagesë 500 euro në muaj.
Lidhur me turizmin, Italia vendosi që të pezullohen kontributet në nivel kombëtar. Dekreti i parë legjislativ parashikon masa ‘ad hoc’ për sektorin e turizmit në të gjithë Italinë, me pezullimin e tatimit në burim dhe pagesave të kontributeve për sektorin e hotelerisë. Masat janë marrë pasi “ai sektor ka vuajtur dhe po pëson anulime, kështu që ne është dashur të japim një përgjigje të menjëhershme, gjithashtu nga pikëpamja e likuiditetit. Por kjo nuk shteron masat që do të hedhim në sektorin e turizmit” – tha ministri i Ekonomisë, Roberto Gualtieri. Një tjetër masë ishte pezullimi i faturave të ujit, energjisë elektrike, gazit dhe madje edhe të mbeturinave deri në fund të prillit. Drafti final pritet të miratohet dhe mbetet për t’u parë nëse do të ketë ndryshime të reja apo jo.
Për punonjësit e vetëpunësuar, artizanët, tregtarët, profesionistë dhe bashkëpunëtorë, të cilët pezulluan aktivitetet e tyre pas urgjencës shëndetësore, Italia do të japë ndihmë mujore prej 500 eurosh për një maksimum prej tre muajsh.

Login to post comments