Gazetarja shqiptare në Itali: Kamionë që ngarkohen me viktima, po përjetojmë një masakër njerëzore

E Enjte, 19 Mars 2020 17:53

Italia po përballet me një tragjedi njerëzore për shkak të koronavirusit. Ariana Coga, ish-gazetare, në një lidhje me skype nga Fiumicino për Ora News tregon se çdo natë bien të flenë duke numëruar viktima.
Coga: Shumë e dhimbshme. Mbrëmë kemi mbyllur një bilanc me 475 të vdekur. E gjithë bota, jo vetëm Italia, ka parë mbrëmë një masakër njerëzore. Ushtria me kamionët e tyre janë futur në qytetin e Bergamos për të marrë trupat e pajetë të shumë personave. Disa edhe i njoh. Është jashtëzakonisht e dhimbshme. Përnatë shkojmë të flemë duke numëruar të vdekurit. Në Romë nuk është kaq e rëndë siç është në Bergamo dhe siç do të jetë më vonë dhe në Breshia.
E ndërsa nuk dihet sa do të zgjasë kjo krizë shëndetësore, një tjetër aspekt po kaq i rëndësishëm është edhe dëmi ekonomik që lë pas.
Coga: Aspekti ekonomik është problem. Pas shpëtimit të jetëve problemi kryesor që do hasim të gjithë është ana ekonomike. Jemi totalisht të izoluar. Dalim shumë rrallë. Personalisht jam me leje lindje dhe nuk e ndjej shumë diferencën mes të qëndruarit në shtëpi dhe jashtë. Partneri im duhet të punojë çdo ditë. Por është asgjë për ne kur mendojmë që mjekët dhe infermierët janë duke luftuar në kushte shumë problematike. Ne po qëndrojmë në shtëpi, nuk është asgjë. Dhe duhet ta bëjmë për veten tonë, njerëzit tonë dhe vendet tona.
Ndaj dhe apeli i ish-gazetares është i qartë: Rrini në shtëpi!
Coga: U bëj thirrje të gjithë shqiptarëve: Duhet të vetëizolohemi! Në këto momente nuk ka një vaksinë, nuk mjaftojnë limonat, as alkooli dhe gjëra të tjera që dëgjojmë. E vetmja vaksinë aktuale është vetëizolimi, virusi përhapet përmes kontaktit. Duhet qëndruar në shtëpi.Nuk po na kërkohet asgjë veçse të qëndrojmë në shtëpi, në divan. Numrat flasin vetë.

Login to post comments