I riu nga Tirana tenton t’i shpëtojë policisë, grushte e shkelma, ja ç’ndodhi dje. Gjobë për 278 të pabindur që shkelën ‘shtetrrethimin

Hënë, 23 Mars 2020 14:51

Dy persona në pranga dhe 278 shtetas të gjobitur. Ky është bilanci i Policisë në 24 orët që lamë pas, në përballje me të pabindurit që kanë shkelur shtetrrethimin pa asnjë arsye emergjence. Një prej tyre u arrestua pasi ka dhunuar efektivët e policisë në tentativë për t’u shpëtuar prangave.
“Gjatë 24 orëve të fundit në Tiranë janë arrestuar 2 shtetas, konkretisht shtetasi A. T., 39 vjeç, pasi është konstatuar duke lëvizur pa ndonjë emergjencë apo arsye dhe gjatë shoqërimit ka kundërshtuar me dhunë dhe goditur për shkak të detyrës punonjësit e Policisë dhe shtetasi G. M., 46 vjeç, pasi u kap duke drejtuar pa leje drejtimi, një motoçikletë.
Në të gjithë vendin janë ndëshkuar me masë administrative 10.000 lekë, 278 shtetas, të cilët u konstatuan nga shërbimet e Policisë duke lëvizur në këmbë apo me biçikleta, pa ndonjë arsye apo emergjencë.
Po gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin, janë evidentuar 20 drejtues mjetesh që kanë shkelur urdhrin e ndalim qarkullimit, të cilët janë ndëshkuar me heqje të lejes së drejtimit dhe bllokim mjeti, në zbatim të Aktit Normativ Nr. 3, datë 15.03.2020 ”Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga virusi COVID-19″.
Në të gjithë vendin janë konstatuar 3 lokale që nuk kanë respektuar orarin e mbylljes dhe ndaj administratorëve është marrë masë administrative 100.000 lekë për secilin“.

Login to post comments