Fshati që infektoi gjysmën e Europës/ Nisin hetimet

E mërkurë, 25 Mars 2020 09:10
Autoritetet austriake kanë nisur hetimet pas dyshimeve se një fshat turistik u lejua të vazhdonte aktivitetin edhe pse ishte kthyer në vatër të koronavirusit. Autoritetet besojnë se aktiviteti u vazhdua qëllimisht, duke vendosur fitimet para shëndetit njerëzor. Më poshtë historia e pabesueshme

Më 29 shkurt, një avion u ul në kryeqytetin islandez, Rejkjavik. Në bord, shumica e pasagjerëve ishin turistë, që sapo ishin kthyer nga pushimet në fshatin Ischgl në Tirol të Austrisë.

Të rinjtë kishin bërë ski në fshatin me 1500 banorë, të njohur si parajsa e skive. Për shkak të situatës së koronavirusit, ata iu nënshtruan testimeve. Gjysma e tyre ishin pozitivë.

Menjëherë u kuptua se zona e Tirolit ishte e rrezikshme, shkruan gazeta Corriere della Sera.

Për pak ditë u kuptua se rasti i Islandës nuk ishte i izoluar. Shumë vende në Europën qendrore dhe veriore kishin raste të importuara nga Tiroli i Austrisë. Më 7 mars, autoritetet norvegjeze testuan një grup turistësh që kishin qenë në Ischgl për ski. Të nesërmen u mësua se thuajse gjysma e personave të infektuar në Norvegji, 491 nga 1198, kishin qenë në Ischgl për ski.

Më 13 mars, edhe Gjermania e shpalli këtë zonë të rrezikshme, pasi 200 njerëz që kishin qenë me autobus në Ischgl, rezultuan pozitivë.

Pavarësisht alarmit, edhe fundjavën vazhdoi turizmi në Ischgl. Më 15 mars u lajmërua për situatën. Qindra turistë nisën të largohen, shumë prej tyre pa u testuar.

Tashmë fshati është izoluar, por është shumë vonë. Në Ischgl për momentin ka 400 infeksione, thuajse dyfishi i atyre në Vjenën me 2 milionë banorë.

Qindra e mijëra raste nëpër Europë e kanë origjinën nga ky vend. “Babëzia për paratë e mposhti përgjegjshmërinë për shëndetin e njerëzve”, tregohet e ashpër gazeta austriake Der Standard në një koment.

Sipas saj, qeveria lokale e Tirolit kërkonte të grumbullonte sa më shumë të ardhura deri në fund të sezonit turistik.

Login to post comments