Gjiganti i duhanit: Kemi gjetur vaksinën për koronavirusin, ta testojmë brenda qershorit

E Enjte, 02 Prill 2020 15:10

Një zgjidhje e mundshme e emergjencës së pandemisë të koronavirusit mund të vijë nga një prej industrive më të diskutuara dhe fuqishme në botë, ajo e cigareve.

Gjiganti i kësaj industrie, British American Tobacco (BAT), pronare ndër të tjerat  e markave si Lucky Strike dhe Benson & Hedges, deklaroi sot se ka zhvilluar një vaksinë të mundshme ndaj koronavirusit, e marrë nga bimët e duhanit.  

Kompania i ka kërkuar qeverisë angleze ndihmë për ta testuar sa më shpejt vaksinën tek njerëzit, ndërkohë që deri më tani është testuar vetëm tek kafshët. BAT kërkon që të ketë disa lehtësime burokratike dhe procedurale në mënyrë që testimet tek njerëzit të kryen brenda muajit qershor, përndryshe me rregulloren e sotme do të duhet deri në një vit.

Kompania, që vlen më shumë se 70 miliardë euro, deklaroi edhe që ajo po drejton pjesën më të madhe të resurseve dhe infrastrukturës në luftën kundër pandemisë, duke patur mundësi të prodhojë në rast efikasiteti 3 milionë vaksina në javë, që do të shpërndanin me çmim kostoje dhe pa përfitim.  BAT ka një histori pozitive ndaj luftës së epidemive, me zhvillimin  e një vaksine kundër ebolës në 2014, e quajtur ZMapp.

Vaksinat e zhvilluara nga bimët gjykohen si e ardhmja e kërkimeve epidemiologjike, sepse sipas disa studimeve kanë më pak gjasa të kenë efekte anësore.

Sipas Bat, ata kanë klonuar një sekuencë të koronavirusit dhe kanë zhvilluar një antigen, një substancë që njihet nga imuniteti i njeriut dhe që e injektuar tek njerëzit mund të aktivizojë njohjen e koronavirusit dhe shkatërrimin e tij.

Por disa ekspertë, si profesor Julian Ma, janë skeptikë që kjo vaksinë mund të testohet tek njerëzit në muajin qershor. Ndërkohë, janë të shumta institucionet dhe kompanitë që po “garojnë” për të zhvilluar vaksinën e parë.

Edhe gjiganti i farmaceutikës Johnson & Johnson ka deklaruar se po zhvillon një vaksinë të tillë. Po ashtu edhe universiteti i Oksfordit. Ndërkohë, kompania e parë që ka deklaruar diçka të tillë ndodhet në SHBA, dhe quhet Moderna, e vetmja që ka filluar konkretisht testimet tek njerëzit.

 
Login to post comments