COVID-19/ BSH gati planin B me politika monetare të jashtëzakonshme, ja çfarë pritet të ndodhë dhe efektet negative

Saturday, 04 Prill 2020 08:11

Pas uljes së normës bazë të interesit në 0,5% dhe heqjes së kufizimeve për likuiditet, Banka e Shqipërisë lajmëron se do të aplikohet politika monetare e jashtëzakonshme, duke injektuar para direkt prej blerjes së borxhit të qeverisë. Si funksionon plani “lehtësimi Sasior-Quantitative Easing”, efekti në kredidhënie dhe përvojat e mëparshme

Ekonomia shqiptare ishte e brishtë edhe pa emergjencën që ka krijuar pandemia e virusit COVID-19, ndaj ndërhyrjet nëpërmjet instrumenteve monetare dhe atyre fiskale duket se mbeten të kufizuara për t’u dhënë kompanive dhe qytetarëve mbijetesën në këto ditë të vështira. Gjithsesi, Ministria e Financave dhe Banka Qendrore kanë përgatitur disa skenarë, të cilët do të aplikohen me përshkallëzimin e situatës, që janë të jashtëzakonshëm në këtë periudhë të jashtëzakonshme.

 

Por planet e ndërhyrjeve po “notojnë” në errësirë, përderisa ende nuk ka një përgjigje nga shkenca se sa do të zgjasë epidemia. Skenarët janë hartuar, duke pasur parasysh një përkeqësim të situatës. Banka e Shqipërisë sqaroi se për momentin, ka dy paketa ndërhyrje, njëra prej të cilave po aplikohet dhe tjetra do të aplikohet në agravim të situatës.

 

Paketa në veprim konsistoi në uljen bazë të normës së interesit në 0,5%, nga 1% që ishte më parë dhe heqjen e kufizimeve mbi likuiditet në sistemin bankar dhe aktorët e tjerë ekonomikë. Në një periudhë të mëvonshme, Banka e Shqipërisë ka lajmëruar se do të përdorë instrumentin “Quantitative Easing”, apo lehtësimi sasior.

 

Lehtësimi sasior është një politikë monetare, me anë të së cilës një bankë qendrore blen shuma të paracaktuara të bonove qeveritare që të injektojë para direkt në ekonomi. Banka e Shqipërisë sqaroi se blerja e obligacioneve qeveritare afatshkurtra synon mbajtjen e normave të interesit ndërbankar në një nivel të caktuar.

Plani B, politika monetare e jashtëzakonshme

Banka e Shqipërisë shpjegoi se ka një plan kontingjencë të ndërhyrjes për të zbutur efektet e krizës, por shpreson që të mos ketë nevojë të aplikohet. “Planet tona të kontingjencës, përdorimi i të cilave shpresojmë të mos jetë i nevojshëm, përfshijnë dhe programe të blerjes së instrumenteve afatshkurtra të borxhit të qeverisë në tregun dytësor, të cilat janë dhe një formë e lehtësimit sasior”, thanë burimet zyrtare të Bankës Qendrore.

Më tej, Banka shpjegoi se, aktivizimi i këtij plani do të bëhet i nevojshëm vetëm në rast të plotësimit të disa parakushteve, detajet e tij nuk janë finalizuar ende. Megjithatë, efekti i tyre final do të ishte rritja strukturore e likuiditetit në ekonomi dhe kontrolli më i mirë i kurbës së normave të interesit, çka do të ndihmonte më tej kreditimin dhe do të ulte koston e shërbimit të borxhit.

Politika e “lehtësimit sasior” u përdor për herë të parë nga Banka e Japonisë (BOJ) për të luftuar deflacionin. Banka Qendrore e Japonisë e mori vendimin më 19 mars 2001. Nëpërmjet kësaj politike, bankat tregtare në vend u tejmbushën me likuiditet për të promovuar huadhënien private. Banka Qendrore Japonisë e arriti këtë duke blerë më shumë obligacione qeveritare sesa do të kërkohej për të vendosur normën e interesit në zero. Më vonë, ajo gjithashtu bleu letra me vlerë dhe kapital. Në këtë mënyrë, likuiditetet në bankat tregtare të vendit u rritën me 300 miliardë dollarë amerikanë. Kjo politikë zgjati për katër vite.

Më vonë, gjatë krizës financiare të vitit 2007-08, politika të ngjashme u ndërmorën nga Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar dhe Eurozona. Një lehtësim sasior u përdor nga këto vende. Gjatë kulmit të krizës financiare, në vitin 2008, Rezerva Federale e ShBA-së zgjeroi bilancin në mënyrë dramatike, duke shtuar asete dhe detyrime të reja. Në të njëjtën periudhë, Mbretëria e Bashkuar përdori lehtësimin sasior si një krah shtesë i politikës së tij monetare për të lehtësuar krizën e tij financiare.

Në fillim të krizës financiare, Rezerva Federale bleu rreth 800 miliardë dollarë nga obligacionet e qeverisë amerikane dhe në kulmin e krizës financiare, në nëntor të vitit 2018, bleu edhe 600 miliardë dollarë nga borxhi i qeverisë. Deri në mars, FED bleu 1,75 trilionë dollarë borxh qeveritar, bankar dhe asete kompanish. Kulmi arriti në vitin 2010, kur shuma e injektuar nëpërmjet lehtësimit kuantativ arriti në 2.1 trilionë dollarë. Këto ndërhyrje ndaluan në vitin 202, kur ekonomia nisi të rimëkëmbët.

PRONONCIMI I BANKËS SË SHQIPËRISË

Plani B, injektim parash duke blerë borxhin e qeverisë

Banka e Shqipërisë ka formuluar një paketë masash për t’i ballë emergjencës ekonomike që ka krijuar pandemia Covid. Pas uljes së normës bazë të interesit në 0,5% dhe heqjes së kufizime për likuiditet, do të aplikohet politika monetare e jashtëzakonshme, duke injektuar para direkt prej blerjes së borxhit të qeverisë. Banka e Shqipërisë e sqaroi planin në një prononcim zyrtar për “Monitor”.

Banka e Shqipërisë, a ka një plan të ngjashëm me ato që kanë ofruar Banka Qendrore Europiane dhe Rezerva Federale në kuadër të emergjencës që ka krijuar pandemia Covid-19?

Përhapja e pandemisë COVID-19 në botë ka krijuar vështirësi serioze në qarkullimin e njerëzve, të mallrave dhe të shërbimeve në ekonomi. Mbyllja apo reduktimi i zinxhirëve të prodhimit dhe shërbimit, si dhe masat e distancimit social, kanë sjellë rënie të njëkohshme të kërkesës dhe ofertës, duke krijuar vështirësi financiare për familjet dhe bizneset. Tashmë është e qartë se kjo pandemi përbën një nga testet më serioze për ekonominë botërore gjatë dekadave të fundit.

Në këtë kontekst, autoritetet publike kanë lançuar masa të paprecedenta emergjence për të amortizuar dëmin e saj në ekonomi. Këto masa përfshijnë si përdorimin e stimulit fiskal, stimul i cili ka një rol parësor në reduktimin e kostove të situatës dhe në zhvendosjen e një pjese të humbjeve të sektorit privat në bilancin e sektorit publik, ashtu dhe stimulin monetar, i cili synon të rrisë likuiditetin në ekonomi, të ulë koston e huamarrjes, dhe të ruajë furnizimin e ekonomisë me kredi.

Në çdo rast, masat e autoriteteve publike merren në përputhje me mundësitë që disponojnë, me kanalet e përhapjes së goditjes në ekonomi, me shkallën e ndikimit të tyre, si dhe me kuadrin ligjor e rregullator që rregullon aktivitetin e tyre. Në rastin e Shqipërisë, si politika fiskale dhe monetare janë lehtësuar më tej, në funksion të reduktimit të ndikimit të krizës në ekonomi.

Në këndvështrimin e Bankës së Shqipërisë, masat e lehtësimit monetar që kemi aplikuar deri tani:
(i) injektimi i sasive të pakufizuara të likuiditetit në sektorin bankar dhe

(ii) ulja e normës bazë të interesit dhe ulja e normës së interesit të kredisë njëditore, janë në përputhje me shkallën dhe intensitetin e përhapjes së goditjes në vendin tonë. Ky lehtësim monetar plotëson masat që kemi marrë për furnizimin normal të ekonomisë me cash, për funksionimin normal të sistemit të pagesave për dhe lehtësimin e kërkesave rregullatore që i hapin rrugë shtyrjes së pagesës së këstit të kredive për bizneset dhe familjet në vështirësi.

Objektivi ynë primar është të reduktojmë në minimum ndikimin që pandemia COVID-19 do të ketë në shëndetin afatgjatë të bizneseve e familjeve, dhe në stabilitetin monetar e financiar të vendit. Përmbushja e këtij objektivi është një parakusht i domosdoshëm për rikuperimin e aktivitetit ekonomik në të ardhmen.
Natyrisht, në rast të përshkallëzimit të situatës, Banka e Shqipërisë disponon dhe instrumente shtesë të cilët mund dhe do të përdoren, gjithnjë në përputhje me rrethanat e ekonomisë dhe sistemit financiar shqiptar dhe me kuadrin ligjor në fuqi.

A ka plan për një politikë “Lehtësimi Sasior- Quantitative Easing”?

Planet tona të kontingjencës, përdorimi i të cilave shpresojmë të mos jetë i nevojshëm, përfshijnë dhe programe të blerjes së instrumenteve afatshkurtra të borxhit të qeverisë në tregun dytësor, të cilat janë dhe një formë e lehtësimit sasior.

Nëse po, si do të ekzekutohet një plan i ngjashëm në Shqipëri?

Si një plan kontingjence, ose me fjalë të tjera, një plan aktivizimi i të cilit do të bëhet i nevojshëm vetëm në rast të plotësimit të disa parakushteve, detajet e tij nuk janë finalizuar ende. Megjithatë, efekti i tyre final do të ishte rritja strukturore e likuiditetit në ekonomi dhe kontrolli më i mirë i kurbës së normave të interesit, çka do të ndihmonte më tej kreditimin dhe do të ulte koston e shërbimit të borxhit.

Efektet negative të planit monetar B

Lehtësimi Sasior mund të shkaktojë inflacion më të lartë se sa dëshirohet nëse shuma e lehtësimit të kërkuar është mbivlerësuar nga blerjet fiktive të blerjeve të aktiveve likuide. Nga ana tjetër, kjo politikë mund të dështojë të nxisë kërkesën, nëse bankat nuk shprehin gatishmërinë për të dhënë kredi për bizneset dhe familjet. Sidoqoftë, ekziston një vonesë kohore midis rritjes së ofertës monetare dhe inflacionit.

Por nëse prodhimi në një ekonomi rritet për shkak të rritjes së ofertës së parave, vlera e monedhës mund të rritet po ashtu. Për shembull, nëse ekonomia e një vendi do të nxiste një rritje të konsiderueshme të prodhimit, me një normë të barabartë me sasinë e borxhit të blerë, presionet inflacioniste do të barazoheshin. Kjo mund të ndodhë vetëm nëse bankat tregtare do të jenë aktive në kredidhënie. Gjatë kohës kur prodhimi ekonomik rritet, Banka Qendrore ka mundësi të rivendosë rezerva përmes rritjes së normave të interesit. Disa ekonomistë besojnë se lehtësimi sasior krijon mosparashikime. Meqenëse rritja e rezervave bankare mund të mos e rrisë menjëherë ofertën e parave.

Nga kjo politikë përfitojnë debitorët, pasi norma e interesit ka rënë dhe kjo i bën më të lira huatë e tyre. Sidoqoftë kjo politikë i dëmton drejtpërdrejt kreditorët, pasi fitojnë më pak para nga normat e ulëta të interesit. Zhvlerësimi i një monedhe gjithashtu dëmton drejtpërdrejt importuesit dhe konsumatorët, pasi kostoja e mallrave të importuara fryhet nga zhvlerësimi i monedhës dhe këtë e paguajnë konsumatorët.

Kritikët e kësaj politike pohojnë se, aplikimi i saj ndikon në rritjen e pabarazisë. Kryeministrja britanike, Theresa May, kritikoi hapur politikën e lehtësimit kuantativ në korrik të vitit 2016, për efektet e saj në thelb regresiste në shpërndarjen e pasurisë./Monitor

Modifikuar më Saturday, 04 Prill 2020 08:16
Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...