Krimi po ndodh në Kapshticë

Hënë, 06 Prill 2020 21:14

Nga BESNIK MUSTAFAJ

 Prej katër ditësh, pra, prej afro 100 orësh, në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës, në zonën neutrale midis dy postave të kufirit, asaj të Greqisë dhe asaj të Shqipërisë, po zhvillohet një dramë e pashembullt qoftë për nga brutaliteti policor e qoftë për nga shëmtimi moral. Rreth gjashtëdhjet shqiptarëve të të gjitha moshave, siç është njoftuar me shqetësim të madh në media, qytetarë të Republikës tonë, bashkëkombasit tanë, në kthim nga emigracioni apo nga një udhëtim për arsye të tjera në Greqi, u është ndaluar hyrja në atdheun e tyre me urdhër të kryetarit fuqiplotë të qeverisë, Edi Ramës. Ata flenë jashtë, pavarësisht kohës së ftohtë, me shi e borë, nuk dihet si ia bëjnë për të ngrënë, a kanë ujë për të pirë, pa folur për nevojat e tyre të tjera bazike njerëzore dhe nuk u lejohet asnjë takim, madje as me gazetarët. Janë krejtësisht të braktisur.

Një veprim i tillë i Kryeministrit Rama është jo vetëm shoqërisht i pakuptueshëm, por edhe penalisht kriminal. Rrethanat, për shkak të gjendjes së shtetrrethimit, janë të tilla, sa askush nuk mund t’i ndihmojë ata hallexhin as thjesht nga ana humanitare, duke u dërguar ndonjë ndihmë me tesha sa për t’u ngrohur pak apo pak ushqim për të shtënë diçka në bark. Domethënë, diçka sa për të mbajtur gjallë frymën në këtë internim, që nuk dihet sa do të zgjasë. Aq më pak mund të bëhet fjalë për t’i çliruar, që të kthehen në shtëpinë e vet, qoftë kjo edhe karantinë. Opozita politike ka bërë disa deklarata e thirrje, që kanë rënë plotësisht në vesh të shurdhër. Mua më duket se ky është një nga ato raste ekstreme, që legjitimon edhe përdorimin e dhunës nga qytetarët për të çliruar bashkëkombasit e tyre, të dënuar pa gjyq dhe në mënyrën më cinike nga Edi Rama. E bëj këtë pohim me bindje të plotë, në mungesë të një zgjidhjeje të arsyeshme nga ata që e kanë për detyrë shtetërore t’u dalin në mbrojtje bashkëkombësve tanë.

Në preambulën e Kushtetutës së Republikës i caktohet qartë detyrimi shtetit shqiptar t’u dalë për zot me të gjitha rrethanat të gjithë shqiptarëve, pa asnjë përjashtim. Qeveria është ekzekutivi i këtij shteti. Pra, Edi Rama, në këtë rast po dhunon me sy hapur një nga detyrimet kryesore kushtetuese. Unë kështu e shoh këtë dramë jo vetëm me ndjeshmërinë time njerëzore, por edhe me vetëdijen e qytetarit të Republikës së Shqipërisë.

Kam pritur të dëgjoj më shumë zëra të strukturuar në denoncim publik të një faji të tillë nga Edi Rama. Në Shqipërinë ka shumë OJF, të cilat me letra e shpallin veten  në mbrojtje të të drejtave të njeriut, dhe janë të financuara nga fondet e BE-së për Shqipërinë apo grante të vendeve mike demokratike. Asnjë prej tyre nuk e ka çelur gojën. Por sidomos më dhemb heshtja e varrit e Komitetit të Helsinkit, njëri nga themeluesit e të cilit jam edhe unë vetë personalisht 30 vjet më parë, në dhjetor 1990. Për çfarë shërben ky Komiteti i sotëm Shqiptar i Helsinkit, që e ka katandisur veten në shtojcë të padenjë të Edi Ramës? Turp për të!

Unë uroj me zemër në dorë që këta bashkëkombas, të mbetur në tokën e askujt,  pa mundësi për t’u kthyer mbrapsht e sidomos pa mundësi për të vazhduar përpara, drejt shtëpisë së tyre, të dalin pa dëme fatale nga ky hall i madh. Unë nuk jam jurist. Por shpresoj se për këtë krim, Edi Ramës do t’i bëhet shpejt një gjyq i madh në kuptimin e vërtetë të fjalës. Lexova në shtypin francez këto ditë se sindikata e mjekëve në një rajon të Francës kishte paraqitur tashmë padinë penale për Kryeministrin francez me akuzë cilësinë jo sa duhet të përshtatshme të mjeteve mbrojtëse ndaj virusit Covid – 19 të përdorura nga mjekët. Pra, edhe në Francë janë në gjendje të jashtëzakonshme. Ama, vënia përpara përgjegjësisë penale e vetë kryetarit të qeverisë për moskryerje të detyrës shihet atje jo vetëm një e drejtë e pamohueshme dhe e patjetërsueshme për gjithsecilin, por është edhe tregues i vetëdijes qytetare, i kulturës demokratike.

Kjo që po bën Edi Rama është pakrahasimisht më e rëndë se akuza e mjekëve francezë për kryeministrin e tyre. Edi Rama nuk është aspak në pamundësi objektive për të vepruar në mbrojtje të atyre qytetarëve shqiptarë. Ai, me vetëdije të plotë, me një gjakftohtësi kriminale, po i torturon ata. Akuza ndaj tij do të jetë e thjeshtë: me veprimet dhe mosveprimet e tij, Edi Rama po dëmton shëndetin e tyre, duke vënë në rrezik edhe jetën e tyre. Të paktën vetë të dëmtuarit dhe familjet e tyre duhet ta çojnë në prokurori këtë padi një ditë të afërme. Shpresoj se do të gjenden shumë juristë, të ndjeshëm ndaj dhunës shtetërore, që po ushtron në këtë rast qeveria ndaj një grupi njerëzish të pafajshëm e të pambrojtur, për t’i ndihmuar ata në formulimin e akuzës dhe në paraqitjen e saj përpara drejtësisë. Shpresoj gjithashtu se do të ketë prokurorë dhe gjyqtarë aq të ndershëm sa ta marrin seriozisht këtë padi. Falë kamerave të televizioneve, krimin e kemi përpara syve. Ai po ndodh në Kapshticë.

Login to post comments