ANALIZA/ Profesori i Imunologjisë, Genc Sulçebe tregon katër llojet e koronavirusit dhe rëndësinë e testeve serologjike: Si do arrihet dalja graduale nga distancimi social

Premte, 10 Prill 2020 18:21

Prof. Genc Sulçebe, Imunolog

Në përgjigje të pandemisë së COVID-19, qeveritë në të gjithë botën kanë vendosur kufizime të rrepta të lirive personale dhe komunitare, duke vendosur afërsisht 3 miliardë njerëz në mbyllje pothuajse totale të aktiviteteve dhe duke i çuar ekonomitë e tyre drejt kolapsit.

Testimi molekular i virusit SARS-CoV-2 është pa dyshim mjeti diagnostik më i saktë dhe më i besueshëm për të gjurmuar vatrat e infeksionit. Ai përcakton diagnozën në të sëmurët e dyshuar, kontaktet e tyre si dhe ndjek përhapjen e infeksionit në kategoritë e rrezikuara si personelin mjekësor, personelin e rendit publik, ata që shërbejnë në tregtimin e produkteve ushqimore dhe veçanërisht në grupmoshat mbi 65 vjeç, sidomos me sëmundje shoqëruese si ato të zemrës, të mushkërive, diabet, obezitet dhe sëmundje të tjera kronike.

Vendet me mundësi logjistike dhe financiare të mëdha si Gjermania, Koreja e Jugut etj., kanë mundur të aplikojnë testimin molekular në masë të gjerë dhe së bashku me masat e izolimit dhe distancimit fizik dhe social, kanë arritur të vendosin në kontroll epideminë. Vende të tjera, si p.sh., SHBA, Itali, Angli, Spanjë etj., të gjendura në befasi nga kjo epidemi kanë qenë detyruara, të paktën në 2-3 muajt e parë të epidemisë, të kufizojnë realizimin e këtyre testeve kryesisht në të sëmurët dhe në gjurmimin e kufizuar të vatrave epidemike të infeksionit.

Testet molekulare janë pa dyshim “standardi i artë” për diagnozën e infeksionit nga ky virus. Por këto teste kanë kosto relativisht të lartë, kërkojnë laboratorë të pajisur dhe personel të trajnuar mirë dhe nuk përcaktojnë gjendjen imunitare të individit ndaj këtij infeksioni. Ndërkohë, tani që jemi në muajin e katërt të shpërthimit të kësaj epidemie, ka filluar gara për të zhvilluar dhe aprovuar ekzaminimet imunologjike apo, siç quhen ndryshe, testet serologjike. Këto quhen kështu sepse realizohen në serum, pjesën e lëngshme të gjakut, ku përcaktohet prania apo jo e antitrupave specifikë për SARS-CoV-2, virusin që shkakton epideminë COVID-19.

Vënia në dukje e këtyre antitrupave nuk ka për qëllim të kapë infeksionin viral aktual, por gjendjen imunitare ndaj këtij infeksioni, pra, nëse individi ka rënë në kontakt me virusin apo jo. Pozitiviteti i kësaj analize tregon gjendjen imunitare ndaj infeksionit COVID-19 dhe, si rrjedhojë, individët që janë seropozitivë mund të rikthehen në punë dhe të qarkullojnë normalisht, pasi ata kanë tashmë rezistencë ndaj këtij infeksioni dhe gjithashtu nuk përbëjnë më rrezik të infektojnë të tjerët.

Në një studim të ditëve të fundit të realizuar në Gjermani, u pa se këta antitrupa ishin të pranishëm në 15% të popullatës. Duket se kjo shifër do të mund të dyfishohet çdo 3-4 muaj dhe ka shumë mundësi që deri në fund të vitit të arrihet ajo masë kritike, e përbërë nga 60-70% e popullatës, e cila do të mundësojë “imunitetin e tufës” dhe rikthimin në jetën normale pa rrezikuar sëmundshmëri të lartë dhe mbingarkesë të sistemit shëndetësor.

Individët seropozitivë do të mund të qarkullojnë lirisht, ndërsa ata seronegativë do të duhet të vazhdojnë të ruajnë distancimin fizik dhe social deri në realizimin e vaksinës që do të mundësojë mbrojtjen e plotë të popullatës.

Megjithatë, edhe testet serologjikë kanë problemet e tyre. Dihet se 30% e infeksioneve stinore virusale shkaktohen nga katër lloje koronavirusesh të tjerë që qarkullojnë normalisht te njeriu edhe para SARS-CoV-2. Ekziston mundësia që antitrupat të prodhuara ndaj këtyre koronaviruseve të dalin pozitiv me testin serologjik për SARS-CoV-2, pasi ky virus përmban struktura të përbashkëta me këto katër lloje koronavirusesh. Kjo gjë mund të shkaktojë rezultate false pozitive në individët që kanë kaluar një infeksion nga këto koronaviruse, por që, në fakt, nuk janë infektuar nga SARS-CoV-2. Kjo e bën akoma të diskutueshëm specificitetin e këtyre testeve serologjike dhe kërkon dhe një procedurë të kujdesshme të konvalidimit të këtyre testeve.

Sidoqoftë, këto teste nuk mund të përdoren për qëllime diagnostike dhe të zëvendësojnë testimin molekular të virusit. Kjo, sepse që të prodhohen këta antitrupa, nevojitet një interval kohor prej 5 deri 15 ditë pas infektimit. Gjatë kësaj kohe, personi i infektuar mund t’ua transmetojë virusin njerëzve të tjerë. Nga ana tjetër, përgjigjja antitrupore ndaj virusit mund të ndryshojë mjaft nga individi në individ pasi disa prodhojnë mirë dhe shpejt antitrupa, ndërsa të tjerë jo aq mirë dhe më me vonesë. Për këtë arsye FDA (Agjencia e Ushqimit dhe Medikamenteve) amerikane ka filluar të lejojë përdorimin e këtyre testeve vetëm për arsye emergjence, por pa dhënë lejen përfundimtare, derisa të dalin të dhëna të sakta për specificitetin dhe sensibilitetin e tyre.

Por, pavarësisht nga këto probleme, testet serologjike do të na mundësojnë të ndjekim në kohë reale shkallën e imunizimit të popullatës ndaj virusit SARS-CoV-2. Me anë të realizimit të tyre në një bazë të gjerë individësh të grupmoshave të ndryshme, ato do të mundësojnë të njohin në dinamikë shtrirjen e kontaktit me virusin në gjithë popullatën dhe në bazë të saj do të mund të merren më me siguri masat e nevojshme të çlirimit të distancimit social dhe të rifillimit të aktivitetit normal shoqëror dhe ekonomik./
Shkrimi enkas per Panorama.al

Login to post comments