Statistikat/Jetët e humbura nga COVID-19, pse Shqipëria ka moshë mesatare më të ulët

Hënë, 13 Prill 2020 08:07

Barra më e lartë e sëmundjeve në moshat e reja, stili i jetesës, niveli i lartë i ndotjes dhe duhanpirja janë shkaqe themelore pse viktimat që ka shkatuar koronavirusi në Shqipëri janë në moshë më të re se në Itali, sipas mjekëve.
Monitor ka mbledhur dhe përpunuar të dhënat e Ministrisë së Shëndetësisë për të gjitha rastet e jetëve të humbura (23 në total), përfshirë moshën, gjininë dhe sëmundjet shoqëruese të gjithsecilit.

Mosha mesatare e personave që kanë humbur jetën është 71.2 vjeç. Ndonëse janë shumë më pak raste, mosha mesatare është më e ulët në krahasim me Italinë, që është rreth 80 vjeç, apo Greqinë, rreth 74 vjeç.

Të ndarë sipas grupmoshave, 9% ishin të moshës 40-50 vjeç; 30% ishin të moshës 60-70 vjeç dhe 39% të 70-80 vjeç dhe 22% ishin mbi 80 vjeç.

Në total, grupmosha më e prekur ishte ajo e 60-80 vjeç, me gati 70% të totalit të jetëve të humbura.

Në krahasim me Italinë, (shteti i vetëm për të cilin janë raportuar të dhënat sipas grupmoshave) grupmosha që ka nivelin më të lartë të vdekjeve është më e re (në moshë) tek ne. Në Itali, sipas të dhënave zyrtare 51% e të vdekurve, pra më shumë se gjysma, janë të moshës mbi 80 vjeç, përkundrejt 21.7% në Shqipëri (gati 11 % e personave që kanë humbur jetën nga Covid-19 në Itali janë mbi 90 vjeç).

Vdekjet në grupmoshën 60-80 vjeç përbënin 44% të rasteve totale në Itali, përkundrejt gati 70% të Shqipërisë (shih grafikun në fund).

Grupmosha që ka vdekjet më të larta, në raport me Italinë është ajo 60-69 vjeç, me 30.4% të totalit të jetëve të humbura, kundrejt 11.8% që është në Itali.

Luan Dyrmishi mjek pneumolog pohon se trendi i vdekjeve nga Koronavirusi në vendin tonë është i ngjashëm me vende të tjera. Nëse mosha mesatare e vdekshmërisë në Shqipëri nga Covid është mbi 71 vjeç dhe në Itali rreth 80 vjeç, kjo lidhet me faktin se popullsia e Lombardisë ka një nivel të ulët të barrës së sëmundjeve në raport me bashkëmoshatarët në Shqipëri. Me fjalë të tjera një 70 vjeçar nga Lombardia ka pak patologji shoqëruese se një 70 vjeçar në Shqipëri. “Stili i jetesës dhe kujdesi shëndetësor ndaj moshës së tretë është shumë sensitiv në Itali, çka reflektohet edhe në jetëgjatësinë e popullatës që është një nga më të lartat në botë, prandaj nuk gjej shumë krahasim me Italinë për viktimat e Covid për shumë arsye”, tha Dyrmishi.

Raporti meshkuj-femra

Deri me datën 11 prill, 35% e atyre që kanë humbur jetën në Shqipëri nga Covid -19 janë femra. Mosha mesatare e femrave ishte 77 vjeç.

Mosha mesatare e meshkujve ishte më e ulët, në 68 vjeç. Mjeku Petrit Malaj shpjegon se në këtë rast tendenca është e njëjtë me ato të vendeve të tjera që janë prekur nga virusi. Stastikat në Kinë, Itali tregojnë se moratliteti tek femrat kanë qenë më i ulët për arsye gjenetike (të lidhura me hormonin femëror, estrogjen).

Në Shqipëri kjo shpjegohet edhe me faktin se femrat nuk janë konsumatorë të duhanit si burrat. Tashmë është provuar stastistikisht së pirja e duhanit dëmton rëndë sistemin respirator. Malaj pohon se pirja e duhanit është përgjegjëse për më shumë se dy të tretat e vdekjeve nga kanceri i mushkërive në nivel global. Gjithashtu pirja e duhanit dhe ndotja e ambientit janë shkaktarët kryesor të SPOK (Sëmundjet kronike të frymëmarrjes, si sëmundja pulmonare obstruktive kronike, SPOK, dhe astma). SPOKU con në aftësi të kufizuar të mushkërisë. Kjo diagnizë është rritur vitet e fundit, por burrat vuajnë më tepër për shkak edhe të duhanpirjes. Raporti gjinor i të sëmurve me SPOK është 3 me 1 për burrat, duke i bërë ata edhe më të rrezikuar ndaj Covid -19.

Sëmundjet shoqëruese

4.3% nuk kishte asnjë sëmundje shoqëruese (një rast, ai i Kavajës).

26% kishin një sëmundje shoqëruese, ndërsa pjesa më e madhe, rreth 70% kishin të paktën dy sëmundje shqëruese.

Sëmundja që dominon është hipertensioni dhe zemrës, që ishte i pranishëm në mbi 50% të rasteve (në linjë me shkaet natyrore të vdekjeve në Shqipëri, shiko ndarjen më poshtë). I dyti është diabeti, në 22% të rasteve. Sëmundje të tjera janë insuficenca kardiake, edemë pulmonare, insuficence renale etj.

Mjeku Petrit Malaj tha se, viktimat nga Covid në Shqipëri janë të pakta në numër për të nxjerrë rezultate dhe krahasime për mortalitetin dhe shkaqet e tij dhe sidomos për të bërë krahasime me vende, ku pandemia ka krijuar mijëra viktima. Duhet të kishim së paku mbi 1000 të prekur dhe më shumë viktima për të bërë krahasime. Ai tha se dy rastet që humbën jetën nën 50 vjec, njëri prej të cilëve pa patologji shoqëruese mund të konsiderohet rastësi. Përvoja ka treguar që persona të rinj në moshë pa sëmundje të tjera nuk kanë mundur të fitojnë edhe betejen me gripin normal.

Malaj thotë se, nuk mjafton një rast për të gjykuar dhe për të bërë krahasime, për shkak se do të bënim gabime. Ndërsa Mjeku Dyrmishi pohoi se edhe OBSH është duke u treguar e kujdesshme për në analizën e shifrave së fundmi pasi, në vende të ndryshme agresiviteti i pandemisë nuk ka qenë i njëjtë. “Gjykimet e sakta për të dhënat do ta dalin në përfundim të pandemisë”, tha ai.

Shkaqet e vdekjeve në Shqipëri, kryeson zemra e tensioni, mesatarisht humbin jetën 60 persona në ditë

Sipas të dhënave të INSTAT, që i referohen vitit 2018, numri i vdekjeve të regjistruara në Shqipëri është 21,804. Numri mesatar i vdekjeve natyrore çdo ditë është rreth 60.

Vdekjet nga grup sëmundja “Aparati i qarkullimit të gjakut” zënë 53,2 % të vdekjeve gjithsej. Ky grup sëmundje vazhdon të jetë shkaku kryesor i vdekjeve, me një nivel vdekshmërie 404,7 për 100 mijë banorë dhe krahasuar me vitin paraardhës ka një ulje prej 2,7 %. Në vitin 2018 ndërruan jetë rreth 11.6 mijë persona nga kjo sëmundje, ose rreth 32 në ditë.

Brenda grup sëmundjes të “Aparatit të qarkullimit të gjakut” përqindjen më të lartë e zë vdekshmëria nga “Sëmundje të enëve të trurit” me 31,7 %, “Sëmundjeve kronike të zemrës” me 27,2 % dhe “Sëmundjet ishemike të zemrës” me 24,3 %.

Vdekjet nga grup sëmundja “Tumore” zënë 16,9 % të vdekjeve gjithsej, duke u renditur si grupi i dytë kryesor referuar numrit të vdekjeve të shkaktuara. Në vitin 2018 ndërruan jetë 3,695 persona nga kjo sëmundje, ose rreth 10 në ditë.

Modifikuar më Hënë, 13 Prill 2020 08:12
Login to post comments