“Rënia e numrit të rasteve reja të infektuara do të vazhdojë në mënyrë të qëndrueshme gjatë javës së ardhshme. Në gjysmën e dytë të muajit Prill do të ketë raste të reja më të pakta. Gjithsesi tregues i saktë do të jenë rezultatet e mostrave, të analizave".
Kjo është deklarata e Profesor Pëllumb Piperos, dhënë për DW në datë 2 Prill.
Por sot, mjeku i njohur, në një lidhje direkte për News 24 dha një tjetër deklaratë, ku kërkonte më shumë testime në mënyrë që të njihet sa më mirë situata në vend.
“Fundi i kësja epidemie ka filluar, në këtë pikë është e domosdoshme njohja dhe monitorimi i situatës, që qytetatarët të respektojnë vendimet e qeverisë. Ju them të gjithëve sa kohë nuk kemi mjekim të certifikuar dhe një vaksinë, e vetmja mundësi për të shmangur rastet, për të ulur kurbën për të mos përmbytur kapacitetet shëndetësore është respektimi i masave të qeverisë. Është esenciale të durojmë edhe pak”, tha ai.
Por pse ky ndryshim në qëndrim i Piperos?
Partia Demokratike, që në rastin e parë me COVID-19 në vendin tonë, ka kërkuar me ngulm shtimin e testimeve, ndërsa apeli i selisë blu ka rënë në vesh të shurdhër.
Kryeministri Edi Rama kërkesës së opozitës i është përgjigjur gjithmonë me ironi dhe disa herë edhe me tone fyese.
“A mundet dikush t’ia thotë PD se qeveria nuk vendos sa teste bëhen a nuk bëhen?! Aq më pak qeveria mund të marrë mendjen e PD-së për këtë punë!” shkruan zoti Rama në rrjete sociale. “Strategjinë e testeve e bën Komiteti Teknik i Ekspertëve dhe PIKË! Qeveria zbaton ato që vendos Komiteti dhe PIKË! PD i’a fut kot.PIKË!", do të shprehej më datë 7 Prill shefi i qeverisë.
Ndërkohë duhet theksuar se, në tre ditët e fundit, në vendin tonë ka patur një shtim të rasteve të personave të infektuar, ku sigurisht Shkodra mbetet ende problematike.
Ditën e sotme 13 prill, për të tretën ditë me radhë, Ministria e Shëndetësisë njofton një numër në rritje të personave që konfirmohen pozitivë.
Në 24 orët e fundit, nga 193 testime në persona të dyshuar, 21 raste kanë rezultuar pozitivë. Drejtuesja e ISHP-së, Albana Fico tha sot gjithashtu, se janë bërë 4070 testime në total, nga të cilat pozitivë kanë rezultuar 467 persona. Pra kemi më shumë se 10% të të testuarve, të cilët rezultojnë të prekur nga virusi.
Duket se strategjisë për të kontrolluar situatën e shifrave me ‘urdhër nga lart’ po i del boja, sepse Shqipëria është i vetmi vend në botë ku virusi nuk po ecën me trendin e shteteve të tjera; nga piku në në një kurbë të sheshtë e pastaj rënie të numrit të të infektuarve.
Mos vallë mjeku Pëllumb Pipero, i cili është në vijën e parë të luftës me pandeminë, e ka kuptuar se mënyra më e mirë për parandalimin e saj është testimi i gjerë në popullatë?...