Birn: Mjeti i duhur, mesazhi i gabuar

Tuesday, 14 Prill 2020 19:38

Kryeministri Edi Rama akordoi 7 miliardë lekë ose 0.4% të PBB-së për të papunët e krijuar nga pandemia. Ndërsa kjo rritje e deficitit buxhetor është e mirëpritur, si përqasja, ashtu edhe madhësia e saj ngrenë pikëpyetje nëse qeveria gjendet në axhendën e duhur për të luftuar pasojat ekonomike të COVID-19.

Pandemia e koronavirusit të ri që shkakton sëmundjen COVID-19 është krahasuar në mënyrë figurative me gjendjen e luftës. Dhe nëse pranojmë këtë figurë letrare si të mirëqenë, atëherë duhet ta shtyjmë atë më tutje, duke argumentuar se një luftë luftohet në bazë të një strategjie.

Strategjitë në luftërat e vërteta dhe jo ato figurative zakonisht mbahen të fshehta nga qeveritë ndërsa në këtë luftë figurative, për shkak se armiku virus nuk ka inteligjencën e nevojshme për të kuptuar strategjinë tonë, është mirë që të jenë të hapura dhe subjekt diskutimi.

 

Hartimi i një strategjie natyrisht që duhet të nisë nga objektivi ose objektivat finalë që synohen të arrihen. Objektivat mjekësorë janë të qartë dhe të njohur për të gjithë: nevojitet që numri i infektimeve të ulet sa më shumë të jetë e mundur dhe kjo luftohet me hetim epidemiologjik të rasteve të njohura apo të dyshuara si dhe me distancim social tërësor të shoqërisë.

 

Objektivat për të luftuar pasojat ekonomike që shkakton nevoja për të rritur shpenzimet shëndetësore nga njëra anë dhe për të kompensuar humbjet nga paraliza ekonomike nga ana tjetër, duket se janë më pak të qarta.

Në shumicën dërrmuese të vendeve të botës nga ku Shqipëria mund të mësojë, objektivi kryesor ekonomik duket se është që financat publike të shërbejnë si urë për të kapërcyer hendekun e krijuar nga pandemia. Kjo urë nuk krijohet vetvetiu dhe nga asgjëja.

Ajo krijohet përmes borxhit publik. Synimi final i strategjisë në fjalë është që ekonomia të jetë gati dhe në shëndet pothuajse të plotë për të rifilluar punën pasi pandemia të përfundojë. Metoda e zgjedhur nga qeveritë për të realizuar këtë qëllim është financimi i aktivitetit të biznesit privat nga fonde publike për aq sa biznesi privat është penalizuar nga kriza.

Kjo nuk është një bamirësi. Kjo është një përpjekje serioze të për mbajtur në këmbë sistemin ekonomik të parakrizës dhe për ta pasur gati për ta rivënë në punë sapo kriza të kapërcehet. Vendet e ndryshme kanë zgjedhur ndërhyrje të ndryshme. Ato vende që kanë sektorë strategjikë, të tillë si transporti ajror, kanë ndërhyrë në tërësi për të mbajtur në këmbë këto sektorë.

Shqipëria nuk i ka këto halle sepse nuk ka ndonjë sektor strategjik për të shpëtuar. Por ndërhyja kryesore në shumë nga vendet nga ku ne mund të marrim informacion, ka konsistuar në pagesën e pjesshme të pagave të të punësuarve në sektorin privat, me kushtin që ky sektor të jetë dëmtuar nga kriza dhe që biznesi të pranojë një pjesë të kostos së punës dhe të mbajë punëtorët.

Disa qeveri e kanë shoqëruar këtë masë ekonomike me një të dytë, pagesat e drejtpërdrejta për familjet, me qëllim që konsumi të mund të mbahet sa më i lartë të jetë e mundshme dhe që familjet të dalin në gjendje sa më të mirë ekonomike që të jetë e mundshme dhe të gatshme për të vijuar konsumin dhe jetën pas pandemisë.

Dhe ndërsa ne shohim larmishmërinë e masave të ndërmarra nga qeveritë e vendeve të ndryshme për të mbajtur sa më pak të dëmtuar ekonominë, shohim nga ana tjetër strategjinë e bazuar gjerësisht në improvizim të qeverisë shqiptare. Qeveria jonë, deri më sot, i ka diskutuar strategjitë e luftës figurative me veten e vet, ka vendosur gjithmonë vetë dhe pa u konsultuar me askënd publikisht dhe pasi ka vendosur, i ka shpallur vendimet në Facebook, shpesh në mënyrë gjysmake. Dhe kur kanë dalë probleme me këto vendime, është përpjekur të mbyllë vrimat duke i korrigjuar ato më vonë, duke krijuar në këtë mënyrë një kakofoni shifrash, rregullash dhe udhëzimesh, të cilat vështirë se mund t’i marrë vesh edhe vetë hartuesi, e jo më populli.

Pasi këmbënguli për javë të tëra që qeveria nuk mund të paguajë rrogat e biznesit privat dhe pasi herë me lutje e herë me kërcënim, i sugjeroi biznesit privat të merrte kredi për të paguar rrogat e punëtorëve të papunë, qeveria vendosi të akordojë një shumë prej 40 mijë lekësh për secilin punëtor të pushuar apo pezulluar nga puna si dhe për biznesin e vogël që nuk u ndihmua në improvizimin e parë ekonomik.

Ndërsa një ndërhyrje e tillë në ndihmë të të papunëve të pandemisë është e mirëpritur, synimi i kësaj ndërhyrjeje duket jashtë çfarëdolloj objektivi strategjik.

E para, një ndërhyrje e tillë nuk ndihmon në ruajtjen e vendeve të punës pasi i akordohet personave që e kanë humbur sakaq aktivitetin ekonomik si të vetëpunësuar apo si të punësuar të papunë.

E dyta, një ndërhyrje e tillë vështirë se ndihmon për të mbajtur të lartë konsumin agregat në ekonomi për shkak se ka përmasa shumë të vockla.

E treta, programi duket se jep mesazhin e gabuar në ekonomi. Duket sikur qeveria i thotë biznesit, pushoji njerëzit nga puna sepse në këtë mënyrë mund të përfitojnë ndonjë pagesë cash, por nëse i mbani në bordero megjithëse nuk ka punë, atëherë paguajini vetë. Dhe meqënëse thesi u hap, biznesi tashmë ka edhe një justifikim moral të vetveten, sado që të gabuar, që të braktisin punëtorët e vet.

Mbi të gjitha, një përqasje e tillë improvizuese përbën edhe një keqpërdorim të fuqisë ekonomike të Shqipërisë në përgjithësi dhe buxhetit të shtetit në veçanti.

Një strategji e logjikshme duhet të nisë nga pyetja se sa para mundet që Shqipëria të marrë hua në këtë periudhë të vështirë dhe nga mund t’i marrë këto para hua. Një pjesë e këtyre parave të marra hua do të duhet të përdoren për të paguar shpenzimet e zakonshme të shtetit dhe për të mbuluar rënien e të ardhurave buxhetore si pasojë e krizës. Një pjesë do të duhet të përdoren në përpjekje për të mbajtur ekonominë në gjendje sa më të mirë të jetë e mundshme në pritje të rihapjes.

Kryeministri Edi Rama, duke shpallur paketën e tij të dytë të ndihmës, foli në lekë zyrtare, në dollarë dhe në lekë të vjetra, tregues ky i një përpjekjeje për të bërë sa më shumë propagandë. Në termat e buxhetit të shtetit, lekët e vjetra, dollarët apo lekët zyrtare nuk janë mjeti më i mirë shprehës. Mjeti më i mirë është vlera në përqindje të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Shqipëria pritet të ketë, 1.74 trilionë lekë PBB këtë vit ndërsa 7 miliardë lekët (zyrtarë) të ndihmës 40 mijë lekëshe janë të barabarta me 0.4% të PBB-së.

Nëse e nisim nga pyetja e parë, sa është hapësira e huamarrjes, e vërteta e hidhur është që qeveria aktuale është sakaq e mbingarkuar me borxhe, për shkak se ka refuzuar të ulë borxhin publik mjaftueshëm përgjatë viteve të fundit dhe na ka zhytur në të ashtuquajturën 1 miliardë euro koncesione, të cilat janë gjithashtu borxhe.

Megjithatë, nëse shohim bilancet e bankave të nivelit të parë dhe të dytë, fortësinë e lekut dhe praninë e bollshme të euros në treg, nuk është e pamundur që Shqipëria të marrë 500 milionë euro hua gradualisht gjatë dy-tre muajve të ardhshëm.

Kjo është e barabartë me një rritje të borxhit publik me rreth 3.5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Kjo vijon të mbetet një paketë e vogël në krahasim me ndërhyrjet masive në vendet e zhvilluara, të cilat po rrisin borxhet e veta me 10 apo 15% të PBB-së, por gjithsesi mbetet një shifër e konsiderueshme për ndërhyrje në kushtet e një ekonomie si kjo e jona, e cila, në fund fare, është ekonomia e një vendi të prapambetur.

Kuptohet që ndonëse një pjesë e kësaj shume duhet të mbulojë të ardhurat e munguara të shtetit, pikërisht shteti ka nevojë që të kursejë, ashtu siç qeveria i kërkon familjeve të prekura nga kjo luftë figurative. Dhe këtu mund të diskutojmë gjerë e gjatë. A mundet që shpenzimet operative dhe të mirëmbajtjes të buxhetit të shtetit, të cilat para krizës ishin planifikuar gati 50 miliardë lekë ose 2.8% të PBB-së të jenë pas krizës, po kaq të larta pavarësisht se shumica dërrmuese e administratës publike nuk ka punuar nga mesi i Marsit deri në fund të Majit? A mos është më e arsyeshme që një pjesë e këtyre shpenzimeve të shkurtohen për të rialokuar fondet në çështje më domethënëse?

Dhe më tutje, a është e arsyeshme që të mos vijojmë të shohim se përgjatë katër viteve të fundit, sektori publik ka shtuar 15 mijë rrogëtarë në një kohë kur popullsia e Shqipërisë është në rënie? A mundet që taksapaguesi të vijojë të tolerojë punësimet nepotike të llojit, njëri vëlla deputet dhe tjetri drejtor në shtet pa asnjë eksperiencë administrative? A mundet që taksapaguesi të vijojë të tolerojë punësimet dhe për llogari të votave? Apo më tutje, të tolerojë koncesionet e incineratorëve që nuk ekzistojnë asgjëkundi?

Për momentin ne vetëm mund të fantazojmë mbi gjendjen e buxhetit të shtetit dhe nevojat për financim. Qeveria socialiste prej vitesh refuzon të respektojë standardet më minimale të transparencës që çdo qeveri dinjitoze duhet të ketë. Për shembull, që nga viti 2003, Ministria e Financave ka publikuar në datën 8 të çdo muaji bilancin e buxhetit të shtetit të muajit paraardhës. Me pak fjalë, normalisht çdokush që është i interesuar në datën 8 Prill duhej të kishte mundësi të informohej për të ardhurat dhe shpenzimet e buxhetit të shtetit për muajin Mars. Por këto të dhëna nuk janë publikuar. Dhe prej disa vitesh të qeverisë aktuale nuk publikohen më në datën 8. Ky mund të ngjajë një element i parëndësishëm, por në fakt ka shumë rëndësi.

Ndryshe nga strategjitë me luftë reale, ku armiku duhet të mbahet në errësirë të synimeve, mjeteve e pozicioneve tona, në luftën figurative me virusin e padukshëm dhe jointeligjent, transparenca e mjeteve, mundësive dhe synimeve e mekanizmave është me rëndësi vendimtare. Një mesazh i gabuar apo i pasaktë për biznesin mund të sjellë dëme ekonomike jo vetëm për periudhën e pandemisë por edhe pas saj. Dhe mbi të gjitha, transparenca mbi mundësitë dhe propozimet mbi çfarë mund të bëhet, ndihmon për qartësimin e mesazhit mbi gjendjen ku jemi dhe çfarë mund të presim.

Në thelb, pandemia ka shkaktuar paralizë ekonomike por nuk ka shkaktuar kurrfarë krize ekonomike, siç janë krizat tipike ekonomike. Bankat janë në rregull, kompanitë janë shëndoshë e mirë dhe punëtorët janë të gatshëm për të punuar. E vetmja gjë që mund ta kthejë këtë paralizë në krizë ekonomike është ilaçi i gabuar apo mungesa e ilaçit. Vendet më të zhvilluara se sa ne i kanë krijuar sakaq recetat, të cilat një vend si Shqipëria ka nevojë t’i përshtasë. Synimi strategjik duhet të jetë ruajtja e vendeve të punës. Vetëm pasi përpjekjet për ta bërë këtë dalin të pasuksesshme, lind nevoja për të ndihmuar ata që kanë mbetur pa punë./ Reporter.al Gjergj Erebara

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...