Vdes një tjetër shkodran me koronavirus, autoritetet nuk e 'numërojnë'

E mërkurë, 15 Prill 2020 15:59

Një 82-vjeçar nga Shkodra ka ndërruar jetë në spitalin “Shefqet Ndroqi” gjatë ditës së sotme, i cili ishte i infektuar me koronavirus. I moshuari ishte sjellë nga Shkodra së fundmi në këtë spital dhe rezultonte pozitiv me koronavirus.

Megjithatë, edhe pse ishte me koronavirus, 82-vjeçari nuk është futur në listën e personave që kanë vdekur nga koronavirusi. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë ai ka vdekur nga tromboembolia pulmonare, tromboza e venës porta, trombozës së venës renale dhe absesi subdiafragmal, raporton ABC News.

Ky është rasti i katërt nga Shkodra, i cili ka ndërruar jetë duke qenë i infektuar me koronavirus, që shkak për vdekjen e tij nuk konsiderohet koronavirusi, por sëmundje të tjera.

Reagimi i Ministrisë së Shëndetësisë

Ministria e Shëndetësisë: Nuk ka viktimë tjetër si pasojë e COVID19

Lidhur me lajmin e publikuar në media për vdekjen e një pacienti 82-vjeçar me COVID-19, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale informon se: Pacienti që ka ndërruar jetë në spitalin universitar “Shefqet Ndroqi” 82-vjeç nga Shkodra, ka humbur jetën si pasojë e tromboembolisë pulmonare, trombozë e venës porta, trombozë e venës renale dhe absesi subdiafragmal. I moshuari është sjellë në gjendje të rëndë nga spitali i Shkodrës dy ditë më parë dhe ishte pa shenja të COVID19.

Referuar spitalit “Shefqet Ndroqi”, pacienti nuk ka ndërruar jetë si pasojë e COVID19, pasi ishte asimptomatik për këtë sëmundje, por si pasojë tromboembolisë pulmonare.
Ministria e Shëndetësisë informon se do të mbajë të informuar publikun për çdo zhvillim, ndaj lutemi t’i referoheni njoftimeve zyrtare.

Login to post comments