E Premtja e Zezë, besimtarët ortodoksë kremtuan Pashkët nga ekrani

Saturday, 18 Prill 2020 08:30

Me një muzikë funebre në sfond, ceremonia e Epitafit këtë të Premte të Zezë të Pashkëve Ortodokse u përcoll në një katedrale të boshatisur, pa besimtarë, pa korin e njerëzve që citojnë njëzëri vargjet e psalmit gjatë liturgjisë, e pa dritat e shumta të qirinjve të ndezur në kujtim të vdekjes së Krishtit.

Ndryshe nga vitet e tjera në sallën e Katedrales “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë gjendeshin vetëm kameramanë që transmetonin ceremoninë live në shtëpitë e besimtarëve.

“Besimtarët janë shumë të mërzitur,” u shpreh At Nikolla para ceremonisë së Epitafit, duke theksuar se ka nivele besimtarësh dhe intelektualësh që janë tepër të devotshëm dhe janë dëshpëruar se nuk mund të kremtojnë Pashkët ashtu siç duhet.

Dita e Epitafit shenjon dhe vdekjen e Krishtit në kryq, dhe në mbrëmje mbahet ceremonia e Epitafit në Kishë, ose procesi i “varrimit” të Krishtit.

Si në të gjithë botën, edhe në Shqipëri, pandemia e krijuar prej COVID-19 ka sjellë anullimin e të gjitha aktiviteteve dhe ceremonive që sjellin grumbullimin e qytetarëve, dhe si pasojë edhe Pashkët nuk janë festuar me vizita në kishë siç e do dhe tradita.

Mesazhi i Kryepeshkopit Anastas për këto Pashkë u fokusua tek mospasja e frikës gjatë kësaj situate të jashtëzakonshme që ka krijuar përhapja e pandemisë.

“Është nevojë urgjente që të marrim pjesë në betejën për çlirimin nga sindroma e frikës, e cila po përhapet rreth nesh në mënyrë të pakontrolluar. Nuk do të na braktisë Perëndia!”, tha hirësia e tij Anastasi duke theksuar se diçka e mirë do të dalë edhe nga kjo sprovë e madhe.

Besimtarët ortodoks në Shqipëri kanë lyer dhe përgatitur vezët e Pashkës personalisht në shtëpitë e tyre, por drita e Pashkës këtë vit për shkak të ndalimit të grumbullimeve, nuk do të shpërndahet në Kishë, por do të ndizet nga vetë banorët në shtëpitë e tyre, siç nuk ka ndodhur asnjëherë tjetër që nga lejimi i besimit fetar pas rënies së regjimit komunist.

“Besimtarët kanë frikën e izolimit të komunitetit më shumë sesa frikë për veten e tyre,” shpjegoi At Nikolla duke vënë në pah rëndësinë që besimtarët i japin komunitetit të tyre.
Nga ana tjetër, kryepeshkopi Anastas pranoi se në kushtet e izolimit gjatë këtyre javëve, mendimi dhe sjellja janë robëruar nga koronavirusi, por në mesazhin e tij për qytetarët e Shqipërisë ai thekson se nuk duhet ta lejojmë këtë armik të padukshëm të na gjunjëzojë.

“Teksa qëndrojmë në shtëpi nuk duhet të izolohemi, përkundrazi, le ta mbështesim njëri-tjetrin, me fjalë, me veprime të thjeshta, me heshtje të mbushur plot dhembshuri, me dëshirë të mirë dhe me gëzim”, ka qenë thirrja e kryepiskopit të Shqipërisë Anastasi.

Ai shtoi se nuk duhet të kufizohemi duke mbështetur vetëm familjen tonë, por duhet ta zgjerojmë interesimin tonë dhe tek miqtë, tek ata që ndodhen afër dhe larg. Kjo për arsye se kjo luftë e paparë ndonjëherë, do të fitohet me anë të mobilizimit të përgjithshëm mbarënjerëzor të solidaritetit.

“Sivjet nuk do të mund ta transmetojmë dritën e Ngjalljes nga njëra llambadhe te tjetra. Le të transmetojmë dritën e shpresës dhe të mospasurit frikë, që na fal Krishti, nga njëra zemër te tjetra,” përfundoi Anastasi, duke uruar “Pashkë tē mbarë, vëllezërit e mi”./reporter

Login to post comments