Të 12 më të shtrenjtë në botë/Ja ç'pritet të ndodhë me çmimet e karburanteve.

E Enjte, 23 Prill 2020 08:40

Ditën e hënë çmimi i naftës të papërpunuar në bursa shënoi rënien më të madhe historike, duke u tregtuar në nivele negative për treguesin referencë amerikan. Situata e paprecendetë ndodhi pasi që nga Azia, Amerika e Veriut dhe në të gjithë botën prodhuesit dhe tregtarët e naftës po kërkojnë vetëm vend për të vendosur produktet e tyre, pasi kapacitetet depozituese janë ezauruar.

Por kjo nuk do të thotë se nëse paraqiteni në një pikë karburanti jo vetëm që do të furnizoni mjetin, por edhe do të paguheni. Situata është keqkuptuar nga konsumatori me pakicë sipas përfaqësuesve të Shoqatës të Hidrokarbureve. Ata pohojnë se shumë konsumatorë paraqiten në pikat e karburantit, duke kërkuar të furnizojnë automjetin kanë kërkuar dhe të paguhen, por kjo nuk është e mundur për shkak të skemës se si funksionon biznesi i naftës. I njëjti keqkuptim që ka ndodhur te ne është vërejtur edhe te konsumatorët e Greqisë dhe SHBA-ve.

“Ajo çka po ndodh me tregtimin e naftës me shumicë ka të bëjë me tregtimin e kontratave në bursë të cilave po u afrohet përfundimi. Zotëruesit e kontratës para përfundimit e nxjerrin në shitje në bursë, por për shkak të rënies të vlerës nuk ka oferta, nuk blihet nga asnjë. Zotëruesi i kontratës paguan që t’i depozitohet produkti, pasi nuk ka vend se ku të depozitohet. Pra kjo është reflektuar te rënia e çmimit të naftës me shumicë, por jo që kur të furnizohesh me naftë të marrësh edhe lekë. Kjo është keqkuptuar nga konsumatorët”, shpjegojnë përfaqësuesit e hidrokarbureveve.

Përfaqësuesit e Shoqatës të hidrokarbureve në vend thanë për “Monitor” se nga nisja e pandemisë çmimi i tregtimit me pakicë të karburanteve në vend ka rënë me 20-25 lekë/litër. Shitjet me pakicë variojnë 20-30% e nivelit të parakrizës kjo e kushtëzuar nga fasha e lëvizjeve dhe masave të qeverisë. Shoqata e hidrokarbureve parashikon se nëse çmimet e shitjes me shumicë do të vazhdojnë të bien edhe në tregun vendas do të ketë reflektim në rënie.

Aktualisht nafta në pikat e karburantit në vend është tregtuar 158-159 lekë/lekë nga 179 lekë/litër që ishte para pandemisë dhe me rënie në nivelin 164 lekë/litër në fund të muajit mars.

Sipas Global Petrol Price, që rendit çmimet e tregtimit të karburanteve me pakicë në gjithë botë, e përditësuar në 20 prill, Shqipëria renditej e 12-a më e shtrenjtë në botë, nënivele të njëjta me Greqinë, Italinë Izraelin etj (shiko grafikun).

Operatorët e tregut pohojnë se arsyeja lidhet me taksat e larta që shoqërojnë naftën dhe që paguhen nga çdo konsumator sa herë ai ble një litër karburant. Niveli i taksave arrin në rreth 100 lekë të litër, duke përbërë mbi 60% të çmimit./Monitor/

Modifikuar më E Enjte, 23 Prill 2020 08:46
Login to post comments