Shqiptari i suksesshëm në SHBA ushqim falas për spitalin, policinë dhe zjarrëfikset në New Jersey

Diel, 26 Prill 2020 08:57

E braktisi Shqipërinë ende pa u rrëzuar komunizmi, duke mos patur frikë. Guxoi të largohet nga vendlindja e tij, duke mos duruar më maskaradën e regjimit, pa iu tundur syri dhe marrë parasysh rrezikun që i kanosej nëse kapej apo pikasej nga rojet kufitare. Ky rrezik ishte i madh sepse nuk kanë munguar rastet ku ata kanë vrarë mjaft qytetarë shqiptarë duke u arratisur në kufi deri ditën e fundit të dhënies shpirt të regjimit diktatorial dhe më gjakatar në botë, që ishte instaluar në Shqipëri nga diktatori Enver Hoxha. Edhe pesha e malit të Korabit i dukej më e lehtë për shpatullat e tij, sesa gjendja ku e kishte katandisur komunizmi vendin, e rrjedhimisht edhe zonën nga ai vjen, prandaj e kishte marrë vendimin e largimit. Përmes malit të Korabit, braktisi Shqipërinë dhe kalon në Maqedoni me pikësynimin e qartë; largimin drejt vendit të lirisë, të demokracisë, vendit të ëndërrave të tij dhe çdo shqiptari, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku ndodhet sot. Kjo ëndërr i është bërë realitet, ai mundi të mbërrijë atje ku kishte dëshirë, në Amerikë duke qenë sot një histori suksesi shqiptare në biznes, një prej atyre që na bën krenar të gjithëve, një prej atyre që duam të dëgjojmë dhe shohim sa më shpesh. Ai është dhe një njeri me zemër të madhe, human dhe këtë e ka treguar shpesh si në raport me bashkëpatriotët e tij shqiptarë, por edhe këto ditë të vështira ka spikatur duke i ofruar ndihmë në ushqime spitalit, policisë dhe zjarrëfikseve të qytetit, në zonën ku ushtron aktivitetin si pasojë e situatës së krijuar nga Covid-19, heronjve të vërtetë që janë në vijën e parë të ndihmës për qytetarët. Ai quhet, Bujar Daku, administrator i "Daku Group", nga Kalaja e Dodës së rrethit Dibër, sot shtetas amerikan. 

Origjina dhe historia e arratisjes
Bujar Daku, është me origjinë nga Kalaja e Dodës, një Njësi Administrative që shtrihet në veri të rrethit Dibrës dhe në lindje kufizohet me Maqedoninë, rrëzë Korabit malit më të lartë në Shqipëri, me një pamje piktoreske të mrekullueshme. Dibranët janë popull punëtorë, e kanë dëshmuar këtë kudo kanë lëvizur në migracion të brendshëm dhe të jashtëm, por veçanërisht për banorët e Kalasë së Dodës, ata që i kanë njohur nga afër, të qenit punëtorë është thjesht konstatimi i një fakti. Standarti i mirë i jetesës brenda kushteve në të cilat iu ofron koha dhe mjedisi për të ushtruar aktivitet, ka qenë prioritet absolut i tyre. Zona nga vjen Bujar Daku shquhet për njerëz punëtorë, të besës, trima dhe bujarë, cilësi të cilat ata i kanë, i mbajnë, transmetojnë kudo që shkojnë dhe i mbart dhe Bujar Daku në tempullin e demokracisë në SHBA. Kujtojmë që simbol i trimërisë dhe qëndresës së Kalasë së Dodës kanë qenë kryengritjet e viteve 1913 dhe 1920 kundër serbëve, duke mos e lënë që të pushtohej krahina e tyre. Kalaja e Dodës ka një histori të lavdishme dhe të lashtë, ku çdo pëllëmbë toke është mbrojtur me gjak.
Komunizmi do ta bënte shumë të vështirë jetesën në Kala të Dodës, ndoshta dhe më shumë se në kohë të mëparshme, si kudo në Shqipëri. Për banorët e Kalasë, do të ishte edhe më e vështirë pasi reforma e kolektivizimit do të bënte të mundur që ata mos të merreshin as me bagëti të cilat i mbanin në numër të konsiderueshëm për çdo familje, prej së cilës buronte dhe mirëqenia e tyre. Tek çdo banor i Kalasë, thellë në shpirt kishte liri, ajo gëlonte brenda tyre dhe vinte nga era e freskët e Korabit rrëzë së cilës banonin.  Bujar Daku nuk do të mund ta duronte më katandisjen ku regjimi i kishte bërë Kalasë së Dodës, Dibrës dhe Shqipërisë. Kishte vendosur të arratisej duke marrë parasysh edhe rrezikun që i kanosej nga rikthimi në Shqipëri dhe izolimi në burgjet komuniste, deri tek plumbi që mund të merrte në kufi tek teli me gjemba nga ushtari. Në Maqedoni do të burgosej dhe nga aty do të kërkonte moskthimin në Shqipëri, pasi fati i tij do të ishte i zi nëse kjo do të ndodhte, por dhe nuk do të pranonte asnjë vend tjetër largimi veç për në Shtetet e Bashkuara te Amerikës (SHBA).
Bujar Daku, histori suksesi në SHBA
"Në vitin 1990, Bujar Daku iku nga Shqipëria e tij e lindjes, për t'i shpëtuar varfërisë dhe qeverisë shtypëse komuniste që sundonte në atë kohë vendin e tij". Kështu do të shkruante një gazeta lokale, në New Jersey për historinë e tij të arratisjes. Gazetari amerikan e ka pyetur se kur mendon nëse mund të kthehej në Shqipëri për të jetuar një ditë dhe ai i është përgjigjur: -"Jersey Shore-NJ – Shtetet e Bashkuara të Amerikës, janë shtëpia ime”.
I gjendur në SHBA para rrëzimit të regjimit komunist në Shqipëri, në vendin e lirisë e shanseve për ata që duan të punojnë dhe jetojnë, Bujar Daku shpejt do të sistemohej dhe ambientohej ku dhe do të krijonte familjen dhe biznesin. Me punë dhe djersë, shumë shpejt ai do të mund të konsolidohej dhe sot të jetë një histori suksesi shqiptare në SHBA, një prej atyre që duam të dëgjojmë dhe shohim shpesh si dhe krenohemi. Sfida e tij e parë nisi në biznesin e restoranteve në Shtetet e Bashkuara në 1991, kur ai shërbeu si kuzhinier në La Veranda në Philadelphia për të pasur më pas një sukses të garantuar fal punës së tij duke u ngritur shpejt dhe prekur majat e suksesit.
Pak vite më vonë, pikërisht në vitin 1998 ka fillesat e tij si biznesmen në fushën e restoranteve në Philadelphia dhe në New Jersey-in e Jugut, pikërisht në Sea Isle City dhe Avalon. Aktualisht është administrator dhe pronar i "Daku Group", ku përfshihen 7 restorante dhe 2 piceri me rreth 200 të punësuar në kohë sezoni turistik dhe në 50 të punësuar në kohë normale. Bujar Daku ka qenë dhe është një pikë referimi, një mbështetje të jashtëzakonshme ndër vite për shqiptarët, veçanërisht të rinjtë që kanë ndjekur studimet në universitetet amerikane duke ju ofruar punë sezonale.
Markat e restoranteve të tij "La Fontana" dhe "Fratelli" mund të gjenden në Strathmere, Sea Isle City dhe Avalon. Ai gjithashtu zotëron një restorant La Fontana në Philadelphia.  Djali i tij Bekim Daku, menaxhon një nga restorantet më me zë "Polpo, në Avalon New Jersey". Bujar Daku është babai i 4 fëmijëve, 3 vajzave dhe një djali.
Humanizimi i Bujar Dakut për situatën e
Covid-19 dhe mbështetja e eventeve shqiptare
Bujar Daku, është mbështetës i eventeve shqiptare kudo që janë mbajtur si në Amerikë ashtu edhe në Shqipëri, por edhe ndaj shqiptarëve në zonat ku ushtron aktivitetin. Këto ditë të vështira në mbarë botën krijuar si pasojë e virusit Covid-19, ka bërë që kompania e sukseshme "Daku Group” në shtetin e New Jersey fal iniciativës së administratorit Bujar Daku, po ndihmon vullnetarisht me ushqime të përgatitura nga restorantet e saj për personelin mjekësor në një nga spitalet e këtij shteti, si dhe policinë dhe zjarrëfikset. Ky gjest është vlerësuar shumë duke marrë vlerësimin e duhur nga autoritetet në vend, por edhe nga komuniteti shqiptar. "Sot ne dorëzuam drekën në sistemin shëndetësor rajonal Cape për të gjithë punën e tyre të vështirë gjatë kësaj pandemie. Ne duhet t'i mbështesim ata për të qenë në vijën e parë. Qëndroni të sigurt! QENDRO NE SHTEPI!"-  shkruante Bujar Daku, administrator dhe pronar i "Daku Group" pas shpërndarjes së ushqimeve të gatshme për një stacion policie në New Jersey, aty ku ai jeton dhe ka bizneset.
Një nga pjesëtarët e stafit të “Daku Group”, Riza Ndreu shkruan në rrjetin e tij social FB: - "Jo në të gjitha rastet e një pune që kryen duhet të presim me patjetër për t'u paguar! Bashkë me Bujar Dakun, vullnetarisht punuam për të përgatitur ushqim për gjithë personelin e njërit nga spitalet e New Jersey-t". Punonjësit Daku Group, u bënë të njohur në katonet ku shërbejnë, duke ndihmuar në ditët më të vështira të pikut koronavirusit në shpërndarjen e ushqimit falas. Rasti i Bujar Dakut, është një krenari shqiptare në SHBA. Sa më shumë shembuj të tillë, do të rrisin lart emrin e Shqipërisë dhe shqiptarëve në arenën ndërkombëtare.

  

Login to post comments