Sherr për pagën e luftës/Pronari plagos punonjësin me thikë

Tuesday, 28 Prill 2020 10:39

Të tjera detaje kanë dalë në dritë nga ngjarja e rëndë që ndodhi dje në zonën e Myslym Shyrit, ku një i ri mbeti i plagosur.
BalkanWeb raporton se plagosja e 23-vjeçarit Renato Shaulli ka ndodhur pas një sherri për rrogën e këtij të fundit.
Pasi qeveria vendosi që të mbyllë bizneset, mes tyre edhe fast-food-et, (përveç shërbimit taxi), shumë punonjës mbetën të izoluar në shtëpi
Ndërkohë, Shaulli, duke qenë se punonte në këtë biznes, ishte paraqitur aty për të marrë rrogën, po pronari nuk ia kishte dhënë.
Në debat e sipër ai ka kërkuar me ngulm që të ishte mes përfituesve të pagës së luftës, pasi theksonte se i takonte. Pasi janë konfiktuar verbalisht dhe më pas me grushte me njëri-tjetrin, pronari i biznesit, bashke me një person tjetër, kanë goditur me thikë të riun, duke e plagosur.

 

Ky i fundit mori plagë në brinjë, ndërsa ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Në lidhje me ngjarjen e rëndë u arrestuan dy të rinj, Reis Osmërija, 21 vjec dhe Alban Gaçi, 27 vjeç.
NJOFTIMI ZYRTAR
Parandalohet përshkallëzimi i mëtejshëm i një konflikti me pasoja të rënda.
Ndërhyrja në kohë e Shërbimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2 çoi në pranga dy shtetas, për vrasje të mbetur në tentativë.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, pas njoftimit të marrë se në një ambient Fast Food-i, në rrugën “Myslim Shyri”, po ndodhte një konflikt mes disa personave, menjëherë kanë shkuar në adresën e dhënë, duke parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm me pasoja të rënda për jetën e një shtetasi.
Shtetasit R. O., 21 vjeç dhe A. G., 27 vjeç kishin hyrë në ambientet e një Fast Food-i, në rrugën “Myslym Shyri” dhe për motive të dobëta po konfliktoheshin me shtetasin R. Sh., 23 vjeç, duke e goditur me thikë disa herë në trup, i cili ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve. Ndërhyrja e Policisë parandaloi përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit.
Në cilësinë e provës materiale, grupi hetimor sekuestroi një armë të ftohtë thikë, me të cilën autoret kryen veprën penale.
Në përfundim të veprimeve, nga specialistët e Hetimit të Krimit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve R. O. dhe A. G., për veprat penale “Vrasje me dashje, e mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.
Materialet e para hetimore i kalojnë Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për hetime të mëtejshme.

Login to post comments