Trajneri i Tottenhamit Jose Mourinho vijon të punojë si vullnetar në klubin londinez, duke shpërndarë perime të freskëta nga ferma e “Spurs” për njerëzit në nevojë, ndërsa ka folur edhe për futbollin.
Tekniku portugez ka deklaruar se i mungon shumë futbolli dhe se do të dëshironte që ky sezon i kampionatit të arrinte të mbyllej, edhe pse me dyer të mbyllura.
“Më mungon shumë futbolli dhe mezi pres të rikthehemi. Do të doja t’i luanim këto 9 javë që na kanë mbetur dhe të mbyllnim normalisht sezonin. Të luash pa tifozë në shkallët e stadiumit është e vështirë, por mua më pëlqen të mendoj se futbolli nuk luhet asnjëherë pa tifozë, pasi miliona njerëz nëpër botë na ndjekin nëpërmjet telekamerave”, deklaroi portugezi.