Një 40 vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpoli është arrestuar nga policia e Shkodrës.
Shtetasi J. V., banues në qytetin verior, ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma.
Gjykata e Milanos, në vitin 2018, ka lëshuar urdhër-arrestin për shtetasin J. V., për kryerjen e veprës penale “Pjesëmarrja në organizatë kriminale, me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike”.
Njoftimi:
Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim dhe shkëmbimit të vazhdueshëm të informacioneve me Departamentin e Policisë Kriminale, ZQK Interpol Tirana dhe Zyrën Ndërlidhëse italiane Interforza të atashuar në vendin tonë, kanë bërë të mundur lokalizimin në qytetin e Shkodrës, të 40-vjeçarit të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Nga strukturat e DVP Shkodër, pas një pune të mirëorganizuar u bë kapja dhe arrestimi i shtetasit J. V., 40 vjeç, banues në Shkodër.
Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi ishte person i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga ZQK Interpol Tirana, sipas njoftimit të dhënë e shpërndarë nga Interpol Roma.
Gjykata e Milanos, Itali, në vitin 2018, ka lëshuar urdhër-arrestin për shtetasin J. V., për kryerjen e veprës penale “Pjesëmarrja në organizatë kriminale, me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike”.
Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme, me qëllim ekstradimin e këtij shtetasi në shtetin italian.