Presidenti i Republikës Ilir Meta deklaron se liria e medias në Shqipëri është përkeqësuar në krahasim me disa vite më parë duke iu referuar raporteve tës organizatave që mbrojnë të drejtat e gazetarëve.
Në një mesazh në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, Kreu i Shtetit bën një tablo të zymtë të situatës së mediave në vend teksa shprehet se liria e medias është tregues për gjendjen e demokracisë dhe kusht i pazëvendësueshëm për respektimin e të drejtave të njeriut. Ndaj sipas tij, regresi në raport me lirinë dhe pavarësinë e medias është i papranueshëm.
Meta përmend dhe arsyet pse kemi më pak gazeta se një vit më parë.
MESAZHI I PLOTË
Dita Botërore e Lirisë së Shtypit e gjen sot lirinë e medias në Shqipëri të përkeqësuar në krahasim me disa vite më parë, sipas organizatave që mbrojnë të drejtat e gazetarëve.
Ndarja preferenciale e reklamave publike, financimet jotransparente të bizneseve private, kufizimet dhe presionet e drejtpërdrejta apo të tërthorta, janë bërë shkak që të kemi më pak gazeta se një vit më parë.
Pasojat e paralajmëruara të paketës anti-kushtetuese të ligjeve “anti-shpifje”, si dhe krizat e njëpasnjëshme të tërmetit dhe COVID-19, po e thellojnë regresin, duke i detyruar botuesit aktualë të bëjnë përpjekje të sforcuara për të mbajtur ende në treg median në print, që po rrezikohet seriozisht.
Gazetarët vetë raportojnë se kushtet e tyre të punës, informaliteti, çensura dhe autoçensuara janë në nivele të papranueshme.
Liria e medias është tregues për gjendjen e demokracisë dhe kusht i pazëvendësueshëm për respektimin e të drejtave të njeriut. Veçanërisht mbrojtja e lirisë së shprehjes në kohë pandemie, siç thekson edhe Këshilli i Europës, ka një rëndësi jetike.
Duke ndarë të njëjtat shqetësime me organizatat botërore të gazetarëve dhe duke shprehur solidaritetin tim me të gjithë komunitetin e medias në vendin tonë, që duhet ndihmuar seriozisht në këto momente të vështira që po kalojmë, nxis dhe inkurajoj gazetarinë e lirë e të pavarur që pyet, kërkon përgjigje, investigon dhe flet në emër të opinionit publik, që mbron dhe është zëdhënëse vetëm e interesave të tij.
Për Shqipërinë, aspirante për anëtare në Bashkimin Europian, regresi në raport me lirinë dhe pavarësinë e medias është i papranueshëm. 🇦🇱