Arrestimi i 29-vjeçarit Arjol Halilaj, si një nga personat e përfshirë në atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoja Nëntorin e kaluar, ka ndihmuar hetuesit për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në ngjarje.
Burime nga policia bëjnë me dije se një operacion i forcave speciale pritet të prangosë edhe të paktën dy persona të tjerë, edhe ata të dyshuar si autorë të kësaj ngjarjeje. Identiteti i tyre nuk bëhet i ditur për të mos prishur hetimet.
‘Halilaj konsiderohet nga hetuesit si bashkëpunëtori dhe personi kyç që ka ndihmuar autorët, duke i larguar me makinën e tij, pasi ata braktisën mjetin e përdorur në krim në fshatin Shkafanë të Durrësit’.
Grupi hetimor thotë se ka arritur të dokumentojë me prova përfshirjen e tij. Vetë 29-vjeçari ka treguar përballë hetuesve se ka njohje me Rredjan Rrajën, por ka mohuar të ketë marrë pjesë në atentatin ndaj prokurorit dhe dy personave të tjerë.
Gjykata e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar, ka caktuar masën e arrestit në burg për 29-vjeçarin. Në burg qëndron edhe 35-vjeçari Redjan Rraja, që u zbulua pas gjurmëve të gishtërinjve në një palë syze të gjetura në automjetin e braktisur.
Në atentatin ndaj Prokurorit Arjan Ndoja, mbeti i plagosur miku i tij Aleksandër Laho, si dhe shoferi Andi Maloku. Ky i fundit, ndërroi jetë pak ditë më pas në Spitalin e Traumës.