Mbyllja e “RTV ORA”, reagon Presidenti Meta: Çdo formë censure është e papranueshme

Premte, 15 May 2020 20:18

Presidenti Ilir Meta ka reaguar për vendimin e autoriteteve për mbylljen e televizionit “Ora News”. Presidenti shprehet se gjobat e vendosura ndaj kësaj media janë shpropocionale dhe përbëjnë një kërcënim për fjalën e lirë.

Mesazhi i plotë i Presidentit Ilir Meta:

 

“Thellësisht i shqetësuar nga vendimarrja e autoriteteve publike për urdhërimin e mbylljes të RTV ORA, veçanërisht kur raportet e organizatave botërore dhe europiane të gazetarëve japin alarmin për regresin vit pas viti në raport me lirinë dhe pavarësinë e medias në Shqipëri.

Në respekt të parimeve kushtetuese, në mbrojtje të të drejtave e lirive themelore të lirisë së shprehjes dhe për informim, si dhe nisur nga natyra urgjente e marrjes së vendimeve të njëpasnjëshme nga organet publike përkundrejt RTV ORA, pa shqyrtuar dhe vlerësuar më parë objektivisht këtë çështje, si dhe pretendimet e kësaj media, duket se këto masa administrative janë shproporcionale.

Liria e të shprehurit është e drejtë themelore e njeriut, shtyllë e pazëvendësueshme për një shoqëri moderne demokratike, dhe tepër jetike për garantimin e llogaridhënies nga të gjitha institucionet publike.

Çdo mënyrë e drejtpërdrejt apo indirekte për të vendosur censurë paraprake mbi mjetet e informimit publik apo kufizuar lirinë e shprehjes është e ndaluar, e papranueshme dhe e patolerueshme.

Gjendja e fatkeqësisë natyrore nuk mund të kufizojë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut siç është edhe drejta e lirisë së informimit.

Përdorimi i pasojave të rënda që ka sjellë pandemia COVID-19, siç me të drejtë theksohet edhe në raportin vjetor të “Reporterëve pa Kufij”, nuk mund të justifikojnë cenimin e lirisë së medias, por kërkon reflektim serioz, të përgjegjshëm dhe të menjëhershëm”.

 
Login to post comments