Punonjësit e një fasonerie në Berat protestë para Tatimeve: Figurojmë si përfitues, por se kemi marrë pagën e luftës

E mërkurë, 27 May 2020 09:30

Punonjësit e një fasonerie në Berat janë hedhur në protestë ditën e sotme për pagën e luftës.
Teksa janë mbledhur para drejtorisë së Tatim Taksave, punonjësit njëzëri kanë kërkuar që të paguhen për muajt që ky biznes ka qenë i mbyllur për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Sipas tyre, ata nuk kanë marrë asnjë page lufte, edhe pse emrat e tyre figurojnë në sistem si përfitues.

Punonjësit deklarojnë se fasoneria u mbyll për shkak të pandemisë dhe ata qëndruan dy muaj pa rrogë e pa pagë lufte. Siç shihet dhe nga pamjet e siguruara për ‘BalkanWeb’ nga gazetarja Eneida Petova, protestuesit janë mbledhur në grup para Tatimeve, ndërsa nuk kanë respektuar distancimin social.