Edhe dy persona kanë gjetur vdekjen në Spitalin Infektiv në Tiranë si pasojë e koronavirusit.
Kjo e çon në 41 numrin zyrtar të vdekjeve nga virusi potencialisht vdekjeprurës.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, viktimat janë një 67 vjeçar nga Tirana si dhe një 73 vjeçare nga Shkodra, me sëmundje bashkëshoqëruese.
Njoftimi i Ministrisë së Shëndetësisë:
Gjatë orëve të fundit një pacient 67-vjeçar nga Tirana ka ndërruar jetë në spitalin infektiv, i prekur nga COVID19, me disa sëmundje bashkëshoqëruese, pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor.
Pas një rëndimi të papritur, 67-vjeçari nuk arriti të mbijetojë nga disfunksioni kardio-respirator, pavarësisht terapisë intensive medikamentoze dhe ventilimit mekanik. 67-vjeçari vuante nga diabeti, fibrilacion atrial, hipertension dhe alzheimer.
Më herët, po në spitalin infektiv ndërroi jetë nga COVID19 një paciente 73-vjeçare nga Shkodra, e cila vuante nga hipertensioni, e shtruar prej disa ditësh në terapi intensive në gjendje të rëndë. Pavarësisht mjekimit dhe asistencës mjekësore, 73-vjecarja nuk mundi të mbijetojë.
Ministria e Shëndetësisë i shpreh ngushëllime familjeve të të ndjerëve që humbën njerëzit e dashur në këtë betejë të vështirë.
Nga fillimi i epidemisë, 41 qytetarë nuk e kanë fituar dot betejën me COVID19.