Polemikat për testin e Maturës/ Gjekmarkaj: Çdo maturant ka të drejtë të hedhë në gjyq ministrinë, s’meritojnë të jenë brezi i “Turit”

Premte, 19 June 2020 18:32

Analisti Agron Gjekmarkaj, njëherësh zv.dekan dhe pedagog pranë fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, në departamentin e Gjuhë-Letërsisë dhe Gazetarisë, komentoi sot në studion e lajmeve në News 24, polemikat e lindura mes ministres së Arsimit, Besa Shahini dhe pedagogëve, për testin e Maturës.


Ndërsa pedagogët e kanë kritikuar ministren dhe testin plot gabime në konceptim e drejtshkrim, kjo e fundit iu përgjigj atyre me replikë, duke i akuzuar se i tremben modernizimit. Gjekmarkaj shprehet se gjithë sa po ndodh është shumë paradoksale.

“Është shumë paradoksale gjithë sa po ndodh, ndërsa pritej tërheqja dhe kërkimi i faljes nga ministrja, ajo jo vetëm nuk bëri këtë por me mllef atakoi pedagogët e Gjuhës dhe Letërsisë. Përtej faktit personal të ministres, unë mendoj që kjo është pasojë e ligjit të Arsimit të Lartë, ku ministria përcakton kurrikulat se çfarë mund të bëjnë pedagogët. Sa e duan apo jo modernizimin mendoj që kemi kaluar në fushën e absurdit. E ftoj atë publikisht nëse ka pedagogë që kanë hartuar teste me gabime le t’i hedhë në publik emrat”,- tha ai.

Sa për formatin e testit të Gjuhë-Letërsisë, Gjekmarkaj tha se ai ishte konceptuar në mënyrë idiote dhe shtoi se çdo maturanti i lind e drejta të hedhë në gjyq ministrinë.

 

“Ishin konceptuar në mënyrë idiote. Mungonte logjika, Letërsia dhe Gjuha Shqipe në formulimin e pyetjeve, pra mungonte substanca e dijes. Çdo maturant ka të drejtë sot të hedhë në gjyq ministrinë për këtë test. Ata nuk meritojnë të jenë brezi i Turit por brezi i emancipimit”,- tha analisti.

Dukë komentuar procesin e zgjedhjeve në UT, analisti tha se ministria e Arsimit i ka grabitur datën e zgjedhjeve Universitetit dhe duhet gjetur një zgjidhje sa më parë.

“Duhet gjetur një zgjidhje për universitetin, ministria i ka grabitur datën e zgjedhjeve universitetit, të gjejë zgjidhje që universiteti të hyjë në legjitimitet. Kemi parlament gjysmak por askush nuk meriton të kemi edhe një universitet gjysmak. Universiteti duhet të hyjë menjëherë në normalitet, i bëj thirrje edhe kryeministrit. Studentët le të marrin pjesë në këto zgjedhje, kush të dojë të vijë. Vjeshta duhet ta gjejë në shina legaliteti universitetin. Qeveria të krijojë kushte që zgjedhjet të kryhen”,- tha ai.

Login to post comments