Raportuesi për Ballkanin në PE: Amendamenti reflekton konkluzionet e marsit, ku u vendosën një numër parakushtesh

Premte, 19 June 2020 19:00

Parlamenti Evropian votoi të enjten ndryshimet e propozuara në Raportin për Ballkanin të raportuesit Tonino Picula, përfshirë dhe një amendament për Shqipërinë të mbështetur nga Partia Popullore Evropiane, nga Liberalët, Konservatorët dhe një pjesë e të majtës eksktreme në Parlament.

Për të kuptuar më qartë mesazhet e këtyre lëvizjeve, korrespondenti i Euronews Albania në Bruksel, Ernest Bunguri, mori në intervistë eurodeutetin Tonino Picula:

 

Euronews Albania: Zoti Picula, cilat janë mesazhet kyçe të raportit tuaj në lidhje me Perspektivën Evropiane të vendeve të Ballkanit :

 
 
 

Tonino Picula: "Aktualisht nuk është raport por është dhe më mirë se kaq, janë rekomandime, dhe nëse mund të theksoj disa prej tyre, pikë së pari që Parlamenti Evropian, dhe unë besoj dhe institucionet e tjera, nuk e kanë harruar se çfarë po ndodh në Ballkanin Perëndimor, dhe që ne nuk po bëjmë një sy qorr për aspiratën e qytetarëve dhe të vendeve të Ballkanit Perëndimor që një ditë të bëhen anëtarë të Bashkimit Evropian. Por sigurisht që ka shumë vështirësi në udhën e tyre, që nga statusi që kanë deri në anëtarësimin e plotë.

 
 

“Por në këto rekomandime unë jam përpjekur të përfshij shumë elementë të mirë dhe aspekte pozitive që ndodhën këto muajt e fundit. Siç është procedura e re e negociatave, e propozuar nga Komisioni, dhe sigurisht, drita jeshile e dhënë më në fund ndaj Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë për të nisur negociatat. Por Parlamenti Evropian është sigurisht shumë mbështetës ndaj procesit të zgjerimit, dhe ne po përpiqemi të nënvizojmë që çdo proces negociatash të ketë një qëllim unik, që është anëtarësimi i plotë i vendeve respektive.

Ne po përpiqemi sigurisht të vëmë më shumë para në funksion të këtij procesi, në veçati duke kërkuar që fondet e instrumentit të para-anëtarësimit, IPA 3, të mos preken, gjatë negociatave që po zhvillojmë për buxhetin e ardhshëm të BE-së.

Euronews Albania: Një amendament për Shqipërinë krijoi pak rrëmujë këtu në Parlamentin Evropian mbi 15 kushte para konferencës së parë ndërqeveritare. A bazohet tek gjuha e konkluzioneve të Këshillit, a është korrekte dhe a jeni të kënaqur ju me këtë ndryshim?

Tonino Picula: “Ju e dini që çdo grupim politik dhe çdo anëtar i Parlamentit Evropian mund të propozojë amendamente. Dhe unë besoj se ky amendament, reflekton në një farë mënyre konkluzionet e Këshillit në mars, ku në të vërtetë Këshilli vuri një numër para-kushtesh për Shqipërinë.

Por sidoqoftë, me këto rekomandime që ne po përpiqemi të hartojmë si një dokument të orientuar nga pozitiviteti, këto rekomandime dhe ky dokument nuk janë raporti i progresit. Janë raportet e progresit që analizojnë dhe vënë nën vëzhgim secilin nga vendet e Ballkanit Perëndimor, dhe besoj se Komisioni do të publikojë raportet e progresit në vjeshtë.

Ndërsa në rekomandimet tona, ne fillimisht po përpiqemi të qarkojmë, pikë së pari mbështetjen tonë për procesin e zgjerimit në vetvete. Dhe sigurisht që disa grupime politike dhe disa kolegë këtu në Parlamentin Evropian deshën të ishin edhe më specifikë me Shqipërinë, se gjuha e përdorur nga Këshilli në përfundimet e tij. Po sigurisht që kjo nuk e prek tërësinë e dokumentit, sepse ne nuk jemi këtu për të vlerësuar, nuk jemi këtu për të gjykuar, dhe në këtë kuptim kjo i takon fillimisht Komisionit, Këshillit dhe vendeve anëtare.”

Euronews Albania: Raporti votohet sot, rezultatet priten në mbrëmje, cila është rruga përpara ?

Tonino Picula: “Sipas axhendës rekomandimet do të votohen këtë pasdite dhe rezultatet priten më vonë gjatë natës, e më pas rekomandimet do t’i dërgohen të gjitha institucioneve madhore të Bashkimit Evropian, së pari Komisionit dhe Këshillit, dhe sigurisht dhe Përfaqësuesit të lartë për politikën e jashtme dhe sigurinë e BE-së. Dua të them se kemi besim në një mbështetje të mëtejshme nga të gjitha institucionet, por mendoj se Këshilli është më i rëndësishmi.

Ndërsa kur flasim për zhvillimet e ardhshme, unë besoj se pas Presidencës kroate që shtyu dhe shënoi një farë suksesi gjatë gjashtë muajve të saj, besoj se edhe Gjermania do të ketë gjithashtu vullnetin dhe do ta mbështesë procesin e zgjerimit. Por nuk duhen më 2 persona për të kërcyer tango, në këtë rast duhen 27 vendet anëtare për të miratuar këto zhvillime pozitive. Dhe sigurisht që unë do të dëshiroja të shija progres para fundit të këtij viti, pavarësisht gjithë problemeve me të cilat po përballemi nga pandemia.”

Login to post comments