Mjeku epidemiolog nga Bulqiza, i cili rezultoi pozitiv dy ditë më parë me COVID-19, është nisur më urgjence drejt Spitalit Infektiv pasi gjendja e tij shëndetësore është përkeqësuar.
Mjeku rezultoi pozitiv dy ditë më parë, ndërkohë që sot u bë me dije se edhe 4 familjarë të tij kanë rezultuar të infektuar.
Sakaq një nga pesë rastet e bëra publike nga Minisitria e Shëndetësisë në qarkun e Gjirokastrës është edhe një person nga fshati Nivicë, i cili bëhet me dije se është në gjendje të rëndë.
Personi i infektuar më COVID-19 bëhet me dije se është nisur me urgjencë drejt Spitalit Infektiv në Tiranë.
Ndërkohë Syri.net mëson se i infektuari në Nivicë është një studente 22-vjeçare.
Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se në 24 orët e fundit janë regjistruar 82 raste të reja me COVID-19. Ndërkohë që është rritur ndjeshëm numri i personave të shtruar në spital, i cili ka shkuar në 84. 6 pacientë janë të intubuar. Po ashtu 11 pacientë janë në terapi intensive.
Shpërndarja gjeografike e rasteve është si vijon: 30 raste në Tiranë, 11 në Shkodër, 6 në Kukës, 5 në Elbasan, nga 4 raste në Bulqizë, Krujë, Berat, Malësi e Madhe, nga 3 raste Kavajë, Përmet, 2 në Korçë, nga 1 rast në Pukë, Mirditë, Kamëz, Gjirokastër, Tepelenë, Dibër.
Në 24 orët e fundit janë shëruar 41 qytetarë, duke e çuar në 1832 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë.